Një balenë e bllokuar prej javësh në ujërat e cekëta pranë ishullit Poel është kthyer në qendër të një operacioni shpëtimi që tashmë ka marrë edhe përmasa politike në Gjermani. Kafsha, e quajtur “Timmy” ose “Hope”, ndodhet në gjendje kritike shëndetësore, me dëmtime të lëkurës dhe dobësi të theksuar si pasojë e qëndrimit të gjatë në ujëra me kripësi të ulët. Për javë të tëra, ndërhyrjet janë kufizuar vetëm në trajtime lehtësuese, pasi ekspertët fillimisht nuk rekomanduan një shpëtim aktiv.
Këtë të martë nisi një përpjekje e re për shpëtim, e financuar privatisht. Plani synon transportimin e balenës drejt Detit të Veriut, përmes një kamioni dhe një rimorkiatori. Operacioni është shumë i ndërlikuar dhe përfshin hapjen e një kanali në fundin e detit, përdorimin e jastëkëve të fryrë për të mbështetur trupin e kafshës dhe më pas tërheqjen e saj drejt ujërave më të thella, me shpresën se do të arrijë të kthehet në habitatin natyral në Atlantik.
Fillimisht, shumë ekspertë gjermanë dhe biologë detarë kishin rekomanduar mosndërhyrje aktive, duke paralajmëruar rrezikun e shtimit të vuajtjeve të kafshës. Edhe organizata mjedisore Greenpeace është distancuar nga plani i ri, duke e konsideruar një ndërhyrje të rrezikshme dhe me pak shanse suksesi. Por, presioni i madh nga opinioni publik dhe rrjetet sociale riktheu përpjekjet për shpëtim, duke e shndërruar rastin në një debat kombëtar në Gjermani.
Në mesin e mbështetësve dhe financuesve të operacionit përmenden edhe biznesmenë privatë, ndërsa ministri i mjedisit të landit, Till Backhaus, fillimisht u shpreh skeptic, por më pas ka dhënë miratim të tërthortë për vazhdimin e operacionit. Rasti ka sjellë edhe tensione të forta politike dhe shoqërore, përfshirë kërcënime ndaj zyrtarëve dhe shkencëtarëve që kanë kundërshtuar ndërhyrjen, duke e thelluar më tej debatin mes etikës, shkencës dhe presionit publik. Ndërkohë, rezultati i operacionit mbetet i pasigurt për shkak të gjendjes së rënduar të kafshës dhe kompleksitetit teknik të shpëtimit.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)