Autoritetet e sigurisë në Gjermani kanë ngritur alarmin për rrezikun e sulmeve të mundshme nga një grup i quajtur Harakat Ashab al-Yamin al-Islamia (Hayi), i cili konsiderohet me orientim pro-iranian dhe është aktiv në Europë. Sipas Zyrës Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës, ekziston rreziku se grupi mund të kalojë nga “sulme të thjeshta”, në veprime më të rrezikshme dhe të mirëorganizuara në të ardhmen.
Autoritetet gjermane dhe ekspertët e sigurisë dyshojnë se pas këtij rrjeti mund të qëndrojnë struktura të lidhura me Gardën Revolucionare të Iranit, ndërsa në analizat e sigurisë përmendet edhe mundësia e një rrjeti shiit me bazë në Irak. Sipas raportimeve, grupi përdor platforma të ndryshme në rrjetet sociale për të shpërndarë mesazhe dhe për të reklamuar aktivitetet e tij, duke shfaqur gjithnjë e më hapur motivim politik dhe fetar.
Autoritetet gjermane thonë se grupi ka kërcënuar institucione izraelite dhe “armiq të Islamit” në Europë. Që nga 9 marsi, janë regjistruar disa incidente në Europë, kryesisht zjarrvënie ndaj institucioneve hebraike dhe amerikane. Sipas hetimeve, disa nga këto sulme janë kryer gjatë natës ose në orët e para të mëngjesit dhe deri tani nuk janë raportuar viktima.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)