Identifikohen tre autorët e vrasjes në Lezhë, policia: Shkak, hakmarrja

Policia e Lezhës ka zbardhur vrasjen e dyfishtë një ditë më parë, ku mbetën viktimë e plumbave dy bashkëshortët Kreshnik dhe Gentjana Mujeci.

27.04.2026. 11:45

Identifikohen tre autorët e vrasjes në Lezhë, policia: Shkak, hakmarrja

Policia e Lezhës ka zbardhur vrasjen e dyfishtë një ditë më parë, ku mbetën viktimë e plumbave dy bashkëshortët Kreshnik dhe Gentjana Mujeci.

Sipas drejtorit të policisë së Lezhës, Arben Nasufi është identifikuar njëri nga mjetet që kanë përdorur tre autorët, ndërsa në kërkim janë shpallur Adriano Mhillaj (22 vjeç), Florin Mhillaj (36 vjeç) dhe Renato Mhillaj 23 vjeç.

"Është identifikuar njëri prej atuomjteve të përdorura nga autorët i markës, Audi A4. U bë i mundur identifikimi i autorëve të dyshuar dhe konkretisht, A. M., 22 vjeç, F. M., 36 vjeç dhe R. M., 23 vjeç banues në Lezhë", tha ai.

Renato Mhillaj është djali i Gegë Mhillaj, për vrasjen e të cilit, ndodhur në vitin 2016, i dyshuar ka qenë viktima e atentatit të djeshëm, Kreshnik Mujeci.

Sipas dinamikës së shpjeguar nga policia, mjeti tip Audi ka vëzhguar lëvizjet e çiftit Mujeci, teksa me një tjetër mjet pa targa është qëlluar me breshëri armësh ndaj tyre. Shkak për ngjarjen është hakmarrja. 

"Nga dinamika e ngjarjes rezulton se automjeti i markës Audi ka mbajtur në vëzhgim lëvizjet e shtetasit K.M e më pas me një automjet tjetër i tipit Volksvagen pa targa, dyshohet se i ka prerë rrugën makinës ku udhëtonte shtetasi Kreshnik Mujeci së bashku me bashkëshorten dhe personat kanë qëlluar me breshëri armësh në drejtim të automjetit të tij. Dyshohet se vrasja ka ndodhur për arsye hakmarrje", thotë policia.

DEKLARATA E PLOTE:

Përshëndetje, 

Faleminderit për praninë tuaj sot, për të përcjellë te qytetarët, rezultatin e angazhimit maksimal të strukturave të Policisë, me qëllim zbardhjen e ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme, në fshatin Balldren, ku mbetën të vrarë me armë zjarri, çifti i bashkëshortëve, shtetasit Kreshnik dhe Gentiana Mujeci.

Më datë 26.04.2026, rreth orës 14:50, në rrugën “Balldren-Torovicë”, nga shtetas të paidentifikuar është qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit që drejtohej nga shtetasi Kreshnik Mujeci. Me marrjen e njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e Policisë dhe ato të emergjencës.

Për të hetuar dhe zbardhur ngjarjen, u ngrit një grup i posaçëm hetimor, me specialistë të Hetimit të Krimeve të Rënda të DVP Lezhë, Departamentit të Policisë Kriminale, si dhe ekspertët më të mirë kriminalistë, të cilët në drejtimin e Prokurorisë, kanë vijuar intensivisht veprimet hetimore në vendin e ngjarjes dhe një sërë veprimesh të tjera me metoda proaktive, në funksion të zbardhjes dhe dokumentimit të plotë ligjor të saj.

Hetimet kanë vijuar me këqyrjen  dhe administrimin e të gjitha pamjeve filmike mbi intinerarin e lëvizjeve të viktimave dhe autorëve, analizimin e çdo prove materiale dhe si rezultat është identifikuar njëri prej automjeteve të përdorura nga autorët, i markës “Audi A4”.

Në vijim të hetimeve të thelluara dhe profesionale, analizimit të çdo prove që lidhej me ngjarjen, u bë i mundur identifikimi i autorëve të dyshuar, konkretisht i shtetasve:  -A. M., 22 vjeç, F. M., 36 vjeç dhe R. M., 23 vjeç, banues në Lezhë.

Nga dinamika e ngjarjes rezulton se automjeti tip “Audi A4” ka mbajtur në vëzhgim lëvizjen e shtetasit Kreshnik Mujeci. Më pas, një automjet tjetër, tip “Volkswagen”, pa targa, dyshohet se i ka prerë rrugën automjetit me të cilin udhëtonte shtetasi Kreshnik Mujeci, së bashku me bashkëshorten e tij, dhe shtetasit që ishin në automjet kanë qëlluar me breshëri armësh në drejtim të automjetit të tij. 

Nga veprimet e mëtejshme hetimore dyshohet se vrasja ka ndodhur për arsye hakmarrjeje. Hetimet vazhdojnë në mënyre intensive, në drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.

Përsa i përket autorëve, pas identifikimit të tyre, nga ana e strukturave policore janë ushtruar kontrolle në disa banesa dhe ambiente të tjera,  por nuk është bërë e mundur gjetja e tyre. Këta shtetas janë shpallur në kërkim.

Operacioni vijon në terren, ku janë përshirë Forcat Speciale “RENEA”, Forcat Kombëtare të Sigurisë dhe strukturat operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, me qëllim lokalizmin dhe kapjen e tyre.

Gjithashtu, vijon puna për gjetjen dhe sekuestrimin e automjeteve dhe të armëve të zjarrit që janë përdorur për të kryer vrasjen.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)