Si ndodhi atentati në Lezhë dhe kush ishin viktimat

Një atentat i mirëorganizuar me armë zjarri ka tronditur pasditen e kësaj të diel zonën e Balldrenit në Lezhë, ku një çift bashkëshortësh u ekzekutua brenda automjetit të tyre.

26.04.2026. 16:24

Si ndodhi atentati në Lezhë dhe kush ishin viktimat

Një atentat i mirëorganizuar me armë zjarri ka tronditur pasditen e kësaj të diel zonën e Balldrenit në Lezhë, ku një çift bashkëshortësh u ekzekutua brenda automjetit të tyre.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:50, në aksin Balldren-Torrovicë, ku sipas policisë është qëlluar në lëvizje drejt një mjeti tip “Audi”, me drejtues shtetasin Kreshnik Mujeci, 39 vjeç, i cili udhëtonte së bashku me bashkëshorten e tij, 32-vjeçaren G. M. Si pasojë e të shtënave, të dy humbën jetën në vendngjarje.

Forcat e policisë kanë mbërritur menjëherë në vendin e krimit dhe kanë nisur kontrolle intensive për kapjen e autorëve, ndërsa është ngritur një grup i posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorisë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Drejtori i komanduar i Policisë së Lezhës, Arben Nasufi, bëri me dije se hetimet janë në zhvillim dhe se priten detaje të reja në orët në vijim, duke theksuar se po mblidhen prova dhe informacione të detajuara për ngjarjen.

Foto nga web

Një nga pistat kryesore që po hetohet është ajo e hakmarrjes. Kreshnik Mujeci rezulton i përfshirë në një ngjarje të rëndë në vitin 2016, ku akuzohej për vrasjen e shtetasit Gegë Mëhilli, pas një konflikti të mëparshëm. Ai ishte arrestuar në vitin 2017 së bashku me persona të tjerë.

Sipas dëshmive paraprake, autorët dyshohet se kanë përdorur dy automjete, një për të kryer sulmin dhe një tjetër për t’u larguar nga vendngjarja.

Policia vijon hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve, si dhe për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje të rëndë kriminale.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)