Në një ceremoni të zhvilluar në Komandën e Forcës Tokësore në Zall Herr, vetëm pak orë pas shkarkimit nga posti i ministrit të Mbrojtjes, Pirro Vengu ka finalizuar 2 vitet e tij në detyrë, me dorëzimin e raketave ‘Javelin’ nga SHBA tek Forcat e Armatosura të Shqipërisë.
Dorëzimi i këtyre sistemeve shihet si një hap i rëndësishëm në modernizimin e ushtrisë shqiptare dhe forcimin e kapaciteteve mbrojtëse në kuadër të NATO-s dhe u bë në prani të përfaqësuesve amerikanë dhe autoriteteve shqiptare të mbrojtjes.
E pranishme ishte edhe e Ngarkuara me Punë e SHBA-ve, Nancy Van Horn, e cila vlerësoi investimin e Shqipërisë në siguri, duke theksuar se rritja e angazhimit në mbrojtje është thelbësore për ruajtjen e paqes.
“Rritja e angazhimit tuaj për sigurinë është një pagesë paraprake për paqen përmes forcës. Kjo paradhënie kërkon jo vetëm rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes, por një fokus të qëndrueshëm në gatishmërinë luftarake dhe modernizimin ushtarak”, deklaroi Van Horn.
Ajo nënvizoi gjithashtu rolin e Shqipërisë në misionet ndërkombëtare, duke vlerësuar kontributin me trupa në kuadër të NATO-s dhe operacioneve ushtarake në mbarë botën.
“Mjedisi me të cilin përballemi kërkon që të gjithë aleatët të bëjnë pjesën e tyre. Në emër të SHBA dua të vlerësoj kontributin tuaj me trupat ushtarake për NATO dhe misionet ushtarake në mbarë botën”, tha ajo.
Nga ana e tij, ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, gjatë ceremonisë së dorëzimit të sistemeve “Javelin”, theksoi rëndësinë strategjike të këtij investimi, duke e cilësuar atë si një mesazh të qartë force dhe serioziteti në mbrojtje.
“Është kënaqësi në këtë moment tranzitimi të detyrës time të linim këtë shenjë sot së bashku me partnerët tanë. Sot dorëzojmë në forcën tokësore sistemin JAVELIN, të porositur prej vitesh. Ky nuk është vetëm një simbol force, por është edhe një mesazh qartësie strategjike”, u shpreh Vengu.
Ai theksoi se investimet në mbrojtje nuk sjellin duartrokitje të menjëhershme, por janë thelbësore për sigurinë afatgjatë të vendit.
“Investimi në mbrojtje nuk merr duartrokitje në fillim, por është i rëndësishëm. Shqipëria, nën orientimin e SHBA, ka investuar në kohë paqeje me plan dhe disiplinë buxhetore. Mbrojtja nuk është luks. Shtetet serioze investojnë në kohën e duhur dhe jo kur është vonë”, deklaroi ministri.
Sistemet “Javelin” përfaqësojnë një nga teknologjitë më të avancuara kundërtanke dhe konsiderohen si një element kyç në rritjen e aftësive mbrojtëse të Forcave të Armatosura shqiptare, në përputhje me standardet e NATO-s.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)