Misioni 'Ripërtëritja', PD mbledh Kuvendin Kombëtar, votohen 200 anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar

Punimet nisën mëngjesin e sotëm në Pallatin e Kongreseve me procesin e regjistrimit të delegatëve, ndërsa sipas agjendës do të konstituohet fillimisht Komisioni i Drejtimit të Punimeve dhe Sekretariati Teknik.

30.05.2026. 10:19

Misioni 'Ripërtëritja', PD mbledh Kuvendin Kombëtar, votohen 200 anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar

Vetëm një javë pas rizgjedhjes së Sali Berishës në krye të Partisë Demokratike, demokratët mblidhen këtë të shtunë në Kuvendin Kombëtar, forumin më të lartë vendimmarrës të partisë, ku pritet të miratohen ndryshime të rëndësishme statutore dhe të zgjidhen 200 anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar.

Punimet nisën mëngjesin e sotëm në Pallatin e Kongreseve me procesin e regjistrimit të delegatëve, ndërsa sipas agjendës do të konstituohet fillimisht Komisioni i Drejtimit të Punimeve dhe Sekretariati Teknik. Kuvendi do të hapet me fjalën e Arisa Bajazitit, përfaqësuese e diasporës në Partinë Demokratike, ndërsa më pas pritet fjala e kryetarit të PD-së, Sali Berisha.

Një nga momentet kryesore të mbledhjes do të jetë prezantimi i tetë amendamenteve statutore nga kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi. Ndryshimet synojnë reformimin e disa proceseve të brendshme të partisë, përfshirë mënyrën e përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë dhe kryetarë bashkish. Statuti i ri parashikon ngritjen e një strukture të posaçme që do të filtrojë kandidaturat përpara se ato t’i nënshtrohen votimit nga anëtarësia.

Po ashtu, dokumenti i ri synon të adresojë problematikat e listave të anëtarësisë përmes dixhitalizimit dhe përditësimit të tyre çdo dy vjet. Gjatë Kuvendit do të prezantohen edhe dy platforma të reja, njëra për dixhitalizimin e partisë dhe tjetra për rritjen e rolit të diasporës në jetën politike të demokratëve.

Në rendin e ditës është edhe votimi për përbërjen e re të Këshillit Kombëtar. Delegatët do të zgjedhin 200 anëtarë mes kandidatëve të propozuar nga kryetari, Kryesia, degët e partisë dhe anëtarët e Këshillit Kombëtar. Më pas, ky forum do të ketë detyrën të shqyrtojë dhe miratojë propozimet e Sali Berishës për ekipin e ri drejtues të Partisë Demokratike.

Kuvendi zhvillohet nën moton “Ripërtëritje”, një koncept që sipas drejtuesve të PD-së synon të përcjellë mesazhin e modernizimit dhe reformimit të partisë. Në aktivitet pritet të marrin pjesë edhe përfaqësues dhe të ftuar ndërkombëtarë, të cilët do t’u drejtohen delegatëve përmes mesazheve dhe video-përshëndetjeve.

Ndërkohë, zhvillimi i Kuvendit është shoqëruar edhe me kritika nga figura të caktuara brenda kampit demokrat. Ish-deputeti Ervin Salianji e cilësoi mbledhjen si “Kuvendi i Uzurpimit”, duke akuzuar drejtimin aktual të partisë për mungesë gare dhe hapjeje politike. Salianji bëri thirrje për një reformim më të thellë të Partisë Demokratike dhe për rikthimin e konkurrencës së brendshme në zgjedhjen e drejtuesve.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)