Një alarm sigurie pranë Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë mobilizoi paraditen e kësaj të shtune forcat e Policisë së Shtetit, specialistët xhenierë dhe njësitë antieksploziv.
Paraprakisht mësohet se në Rrugën e Elbasanit u sinjalizua prania e një objekti të dyshimtë. Për shkak të dyshimeve fillestare, zona u izolua dhe qarkullimi i automjeteve u ndërpre përkohësisht.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje mbërritën efektivët e policisë, të cilët vendosën perimetrin e sigurisë dhe nisën procedurat e verifikimit. Në terren u angazhuan edhe ekspertët antieksploziv, ndërsa kontrolli u krye me ndihmën e qenve të specializuar.
Prania e objektit shkaktoi shqetësim dhe panik te banorët dhe kalimtarët e zonës, për shkak të afërsisë me Ambasadën Amerikane dhe masave të shumta të sigurisë të vendosura nga autoritetet.
Megjithatë, pas verifikimeve të kryera nga strukturat përkatëse, rezultoi se objekti i dyshimtë ishte një kovë e lënë në rrugë, brenda së cilës ndodheshin fasule dhe jo lëndë shpërthyese apo materiale të rrezikshme.
Deri në momentin e verifikimit nuk u konstatua asnjë kërcënim real për sigurinë publike.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)