Qeveria i vë kompanive “MABCO” dhe “2A”, 30 ditë afat për zhbllokimin e aeroportit të Vlorës

Përmes një letre drejtuar kompanive “MABCO” dhe “2A”, ministri i Infrastrukturës, Enea Karakaçi, thekson se mosmarrëveshjet mes ortakëve nuk mund të cenojnë realizimin e një projekti me interes kombëtar.

29.05.2026. 20:05

Qeveria i vë kompanive “MABCO” dhe “2A”, 30 ditë afat për zhbllokimin e aeroportit të Vlorës

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës ka ndërhyrë zyrtarisht në konfliktin mes kompanive që po zbatojnë projektin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, duke u kërkuar palëve të gjejnë zgjidhje brenda 30 ditëve për të shmangur bllokimin e mëtejshëm të punimeve.

Përmes një letre drejtuar kompanive “MABCO” dhe “2A”, ministri i Infrastrukturës, Enea Karakaçi, thekson se mosmarrëveshjet mes ortakëve nuk mund të cenojnë realizimin e një projekti me interes kombëtar.

“MIE kërkon formalisht përmes këtij komunikimi, që palët të iniciojnë një proces të përbashkët për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes tyre, proces i cili duhet të realizohet brenda një periudhe 30 ditore nga data e këtij komunikimi”, thuhet në shkresën zyrtare të ministrit.

Në dokumentin e dërguar kompanive, ministri Karakaçi nënvizon se interesi publik për përfundimin e aeroportit tejkalon interesat private të ortakëve apo vetë koncesionarit, ndërsa paralajmëron edhe ndërhyrje të shtetit nëse situata nuk zgjidhet brenda afatit të përcaktuar.

“Në rast moszgjidhjeje brenda afatit të mësipërm dhe vijimit të mosmarrëveshjeve, MIE do të ushtrojë të gjitha të drejtat e parashikuara në Kontratën e Koncesionit dhe legjislacionin përkatës, në mbrojtje të interesit publik dhe interesave të shtetit shqiptar”, theksohet më tej në letër.

Foto: Ministria e Infrastrukturës

Pak ditë më parë, Gjykata e Lartë rrëzoi vendimin që kishte pezulluar të drejtën e votës dhe të drejtat e tjera të shoqërisë “MABCO” në kompaninë “Vlora International Airport”.

Trupa gjykuese e Gjykatës së Lartë, duke shqyrtuar rekursin e paraqitur nga “MABCO”, vendosi të rrëzojë kërkesën e “VIA” dhe “A2 Group” për masë sigurimi ndaj kompanisë, duke i hapur rrugë vijimit të proceseve të administrimit brenda koncesionit të aeroportit.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)