“Erdhi koha që rinia të ngrihet”, reperi Stresi kandidon për Këshillin Kombëtar të PD-së

Në mesazhin e tij, Stresi thekson se kandidimi nuk lidhet vetëm me politikën, por me përfaqësimin e të rinjve dhe përgjegjësinë ndaj tyre.

29.05.2026. 18:00

“Erdhi koha që rinia të ngrihet”, reperi Stresi kandidon për Këshillin Kombëtar të PD-së

Reperi i njohur Arkimed Lushaj, i njohur nga publiku si Stresi, ka bërë të ditur se do të kandidojë për një vend si anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike. Lajmin ai e ka ndarë përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka shpjeguar edhe arsyet që e kanë shtyrë të ndërmarrë këtë hap në politikë.

Në mesazhin e tij, Stresi thekson se kandidimi nuk lidhet vetëm me politikën, por me përfaqësimin e të rinjve dhe përgjegjësinë ndaj tyre.

“Sot kam vendosur të hedh një hap më shumë për vendin tim, për të rinjtë dhe për zërin e një brezi që shpesh është ndjerë i papërfaqësuar. Kandidimi im për Këshillin Kombëtar të PD-së nuk është thjesht politikë, është përgjegjësi, përfaqësim dhe besim tek rinia shqiptare”, shkruan ai.

Më tej, reperi shprehet se vjen nga “jeta reale” dhe nga sfidat që përballen të rinjtë shqiptarë, ndaj synon që zëri i tyre të dëgjohet në vendimmarrje.

“Kam ardhur nga rruga, nga jeta reale, nga sfidat që çdo i ri i njeh mirë. Prandaj dua që zëri ynë të dëgjohet aty ku merren vendimet”, vijon postimi i tij.

Ai u bën thirrje të rinjve të angazhohen dhe të bëhen pjesë e ndryshimit, duke theksuar se është koha që rinia të marrë rolin që meriton në shoqëri dhe politikë.

“Nuk ka më kohë për heshtje, për largime apo për dorëzim. Ka ardhur koha që rinia të ngrihet, të flasë dhe të marrë vendin që meriton”, shkruan Stresi.

Më tej ai shton se “e ardhmja nuk pret dhe ajo ndërtohet nga ne”.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)