Një nga krimet më të rënda që tronditi opinionin publik në Greqi ka marrë fund në sallën e gjyqit. Gjykata e Athinës ka dënuar me burgim të përjetshëm 39-vjeçarin shqiptar Kastriot Cenko, i cili u shpall fajtor për vrasjen e bashkëshortes së tij, Alba Cenko, dhe për përpjekjen për të fshehur gjurmët e krimit.
Vendimi u dha pas një procesi gjyqësor ku gjykata e shpalli fajtor për vrasje me dashje me shumicë votash 6 me 1. Përveç dënimit me burgim të përjetshëm, ai u dënua edhe me 2 vite e 6 muaj burg për mbajtje dhe përdorim armësh.
Sipas prokurorisë, 39-vjeçari veproi me gjakftohtësi dhe planifikoi me kujdes fshehjen e krimit. Prokurori theksoi se i pandehuri nuk tregoi asnjë shenjë pendese, ndërsa viktimën e përshkroi si një nënë dhe grua punëtore, e përkushtuar ndaj rritjes së fëmijëve të saj.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 29 nëntor 2024 në zonën e Ampelokipit në Athinë. Sipas hetimeve, Kastriot Cenko goditi bashkëshorten e tij 32-vjeçare me çekiç në kokë dhe më pas fshehu trupin e saj në papafingon e banesës për rreth një javë.
Gjatë kësaj kohe, ai dyshohet se përdori telefonin celular të viktimës për të mashtruar fëmijët e tyre të mitur dhe familjarët e saj, duke krijuar përshtypjen se Alba ishte ende gjallë.
Në mbrojtjen e tij, 39-vjeçari pretendoi se kishte humbur kontrollin dhe se krimi nuk ishte i paramenduar, por gjykata nuk e pranoi këtë argument. Sipas hetimeve, autori prej kohësh dyshonte se bashkëshortja e tradhtonte me një mik të tij, çka besohet se ka qenë motivi që çoi në krimin tragjik.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)