E morën peng në Vlorë dhe e dhunuan për 6000 euro, kapet bashkëpunëtori i tretë i grupit

Një operacion i koordinuar i policisë ka çuar në prangosjen e personit të tretë të dyshuar në një rast të rëndë pengmarrjeje dhe dhune të ndodhur në Vlorë.

29.05.2026. 15:32

E morën peng në Vlorë dhe e dhunuan për 6000 euro, kapet bashkëpunëtori i tretë i grupit

Një operacion i koordinuar i policisë ka çuar në prangosjen e personit të tretë të dyshuar në një rast të rëndë pengmarrjeje dhe dhune të ndodhur në Vlorë. I shpallur në kërkim prej disa ditësh, 30-vjeçari R.L. është lokalizuar dhe arrestuar në aksin rrugor Tepelenë-Gjirokastër, në kuadër të operacionit policor të koduar “Strike 2”.

Sipas Policisë së Shtetit, i dyshuari, banues në fshatin Risili të Vlorës, u kap gjatë një operacioni të përbashkët të strukturave hetimore të Vlorës dhe Gjirokastrës, me mbështetjen e forcave “Shqiponja”.

Hetimet kanë dokumentuar se më 21 maj 2026, R.L., në bashkëpunim me dy persona të tjerë, B.H. dhe L.K. (alias L.L.), të arrestuar më herët, kanë marrë me forcë një 20-vjeçar në qytetin e Vlorës.

Sipas autoriteteve, të rinjtë e kanë futur viktimën në një automjet dhe më pas e kanë dërguar në një ambient të izoluar, ku dyshohet se e kanë dhunuar fizikisht me qëllim që t’i merrnin një shumë prej 6000 eurosh.

“Pasi e kanë marrë me forcë, autorët e kanë dërguar të riun në një ambient të veçuar dhe të izoluar, ku kanë ushtruar dhunë ndaj tij për t’i zhvatur shumën e parave”, thuhet në njoftimin e policisë.

Pas arrestimit, 30-vjeçari iu dorëzua strukturave të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.

Ndërkohë, hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe zbardhjen e të gjitha rrethanave që lidhen me këtë rast të rëndë kriminal, i cili ka tronditur opinionin publik në qytetin bregdetar.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)