Një operacion i gjerë i autoriteteve italiane ka goditur një organizatë kriminale të dyshuar për trafik droge, armësh dhe shfrytëzim prostitucioni në Romë, ndërsa hetimet kanë nxjerrë në pah edhe lidhje me grupe kriminale shqiptare aktive në veri të Italisë.
7 persona u arrestuan pas një urdhri të lëshuar nga Gjykata e Romës me kërkesë të Drejtorisë Antimafia. Sipas hetuesve, organizata kishte krijuar një rrjet të strukturuar trafiku me furnizues droge në Amerikën e Jugut dhe bashkëpunonte me kartelë shqiptare që operojnë në territorin italian.
Autoritetet italiane dyshojnë se grupi kishte arritur të siguronte sasi të mëdha droge për tregun italian, përfshirë kokainë të pastër dhe qindra kilogramë hashash. Në një prej episodeve më të rëndësishme të hetimit janë sekuestruar rreth 500 kilogramë hashash, ndërsa janë dokumentuar edhe furnizime me kokainë me vlerë qindra mijëra euro.
Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se organizata po përpiqej të siguronte armë lufte, mes tyre pushkë sulmuese M4 dhe armë gjahu, të cilat dyshohej se do të përdoreshin për atentate ndaj grupeve rivale kriminale.
Operacioni zbuloi edhe një rast të shfrytëzimit të prostitucionit ndaj një gruaje të varur nga droga. Sipas hetimeve, ajo mbahej nën kontroll nga organizata dhe detyrohej të prostituonte në një apartament të vënë në dispozicion nga grupi kriminal, ndërsa pjesa më e madhe e fitimeve u merrej nga anëtarët e rrjetit.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)