Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka dalë me një sqarim zyrtar, duke theksuar se dokumenti i publikuar për terapinë hormonale nuk përbën një protokoll përfundimtar terapeutik, por një udhëzues orientues për profesionistët e shëndetësisë.
Zv.ministrja Eugena Tomini bëri të ditur se udhëzuesi është hartuar mbi bazën e praktikave dhe rekomandimeve ndërkombëtare, si dhe pas vlerësimit nga një ekip multidisiplinar specialistësh.
Sipas saj, dokumenti synon të orientojë mjekët në procesin e rekomandimit të terapisë hormonale për individët që referohen për këtë shërbim dhe nuk rekomandon nisjen e trajtimit hormonal gjatë fëmijërisë.
Tomini theksoi se udhëzuesi i referohet ekskluzivisht personave madhorë, në përputhje me legjislacionin shqiptar dhe mbi bazën e pëlqimit të informuar individual.
Zv.ministrja sqaroi gjithashtu se dokumenti nuk trajton çështjen e rimbursimit të medikamenteve hormonale dhe nuk përcakton skema financimi për to. Sipas saj, udhëzuesi përmban vetëm rekomandime të përgjithshme klinike dhe lloje të ndryshme terapish hormonale, të bazuara në standardet dhe praktikat ndërkombëtare të përdorura në këtë fushë.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)