Matura Shtetërore, ashpërsohen rregullat, Kumbaro: Proces i barabartë për të gjithë

Një ndër masat kryesore mbetet ndalimi absolut i celularëve, orëve inteligjente dhe çdo pajisjeje elektronike gjatë zhvillimit të provimeve.

29.05.2026. 13:36

Matura Shtetërore, ashpërsohen rregullat, Kumbaro: Proces i barabartë për të gjithë

Pak ditë para nisjes së provimeve të Maturës Shtetërore, Ministria e Arsimit ka prezantuar masat organizative dhe rregullat e reja që do të zbatohen gjatë procesit, me fokus te siguria dhe garantimi i një gare të ndershme për maturantët.

Gjatë një konference për mediat, ministrja Mirela Kumbaro deklaroi se përgatitjet për provimet kanë nisur që në fund të vitit të kaluar dhe kanë përfshirë një proces të gjatë koordinimi mes institucioneve arsimore në vend.

Sipas saj, maturantëve u janë vënë në dispozicion modele online të testeve dhe janë zhvilluar prova simuluese në të njëjtat kushte që do të aplikohen edhe gjatë provimeve zyrtare të muajit qershor.

Ministrja theksoi se këtë vit rregullorja është ashpërsuar krahasuar me vitet e mëparshme, duke përcaktuar qartë detyrat dhe përgjegjësitë për administratorët, përgjegjësit e qendrave dhe përfaqësuesit e institucioneve arsimore.

Një ndër masat kryesore mbetet ndalimi absolut i celularëve, orëve inteligjente dhe çdo pajisjeje elektronike gjatë zhvillimit të provimeve.

“Është një rrezik që askush nuk duhet ta marrë përsipër, pasi mund të dëmtojë gjithë punën dhe sakrificat e viteve të shkollimit”, u shpreh Kumbaro.

Provimet do të zhvillohen më 2, 9, 16 dhe 23 qershor në 144 qendra në të gjithë vendin, ndërsa mbi 170 monitorues të Ministrisë së Arsimit do të angazhohen për mbikëqyrjen e procesit.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)