Vetëm pak ditë pas hapjes së sezonit turistik veror, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka ndërmarrë një aksion në zonat bregdetare të jugut të vendit, duke shembur disa objekte të ndërtuara pa leje.
Ndërhyrjet janë përqendruar në zona me rëndësi turistike si në Llogara, Filikur dhe Qeparo, me synimin për lirimin e hapësirave dhe frenimin e ndërtimeve të paligjshme përgjatë vijës bregdetare.
Sipas njoftimit zyrtar, në zonën e Llogarasë, u shemb një objekt njëkatësh me sipërfaqe 53 metra katrorë, i ndërtuar me mur dhe soletë betoni. Objekti rezultonte pa leje dhe ishte skualifikuar më herët nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës.
Ndërkohë, pranë plazhit të Filikurit në Himarë, IKMT ndërhyri për prishjen e një muri guri dhe betoni me gjatësi rreth 290 metra dhe lartësi 2 metra, i ndërtuar në mënyrë të kundraligjshme.
Aksioni vijoi edhe në Qeparo, ku u shemb një objekt dykatësh me konstruksion betoni dhe metalik, me sipërfaqe totale 264 metra katrorë, i ngritur pa leje ndërtimi.
Autoritetet kanë paralajmëruar se kontrollet në zonat turistike do të vijojnë gjatë gjithë sezonit veror, me fokus mbrojtjen e territorit dhe respektimin e ligjit në vijën bregdetare.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)