Në prag të sezonit veror, qeveria shqiptare ka shpallur mbrojtjen nga zjarret si një nga prioritetet kryesore të muajve në vijim, duke paralajmëruar masa të ashpra ndaj çdo personi që shkakton zjarr me dashje apo nga pakujdesia. Në një takim koordinues me drejtuesit e shërbimeve zjarrfikëse nga të 61 bashkitë e vendit, Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, prezantoi planin kombëtar të masave për parandalimin dhe përballimin e emergjencave gjatë verës.
Ministri theksoi se ndryshimet e fundit në Kodin Penal kanë ashpërsuar ndjeshëm dënimet për zjarrvëniet e qëllimshme, duke paralajmëruar se në rastet më të rënda autorët mund të përballen me deri në 30 vite burg.
“Dua ta them qartë: do të ketë zero tolerancë ndaj zjarrvënies së qëllimshme dhe ndaj kujtdo që cenon pasurinë natyrore dhe sigurinë e komuniteteve tona”, deklaroi Lamallari.
Sipas tij, gjatë muajve të verës do të ketë gatishmëri të shtuar të strukturave zjarrfikëse, patrullime të vazhdueshme në terren dhe monitorim të zonave me risk të lartë në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, Emergjencat Civile dhe institucionet e tjera përgjegjëse. Në zonat turistike do të ngrihen edhe stacione të përkohshme zjarrfikëse për të garantuar reagim sa më të shpejtë në rast emergjencash.
Një fokus i veçantë do t’i kushtohet edhe sigurisë së hoteleve, resorteve, restoranteve dhe subjekteve të tjera që presin numër të lartë pushuesish. Autoritetet paralajmëruan inspektime të detajuara për verifikimin e kushteve të sigurisë dhe planeve të evakuimit.
Lamallari bëri të ditur se qeveria po investon në modernizimin e shërbimit zjarrfikës. Financimi për këtë sektor është rritur nga 2.3 miliardë lekë në vitin 2024 në 2.8 miliardë lekë, ndërsa aktualisht në vend operojnë rreth 170 automjete zjarrfikëse. Sipas tij, janë planifikuar edhe 130 mjete të reja si dhe ndërtimi i katër stacioneve të reja zjarrfikëse në Përrenjas, Mat, Patos dhe Mirditë.
Edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, paralajmëroi masa të forta ndaj çdo personi që shkakton zjarr.
“Jemi të vendosur për të çuar para drejtësisë të gjithë ata që me dashje apo nga pakujdesia, shkaktojnë zjarr duke rrezikuar jetën dhe pronën e qytetarëve”, deklaroi Hita.
Ai bëri të ditur se Policia e Shtetit ka nisur kontaktet me administratorët e njësive administrative dhe do të njoftojë edhe blegtorët që përdorin kullota dhe territore të caktuara për përgjegjësitë që mbajnë në rast të shpërthimit të zjarreve.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)