Droni goditi kompleksin e banimit, Rumania ngre avionët F-16! Shpallet 'non grata' konsulli rus, reagon Moska

Presidenti rumun Nicuşor Dan njoftoi mbylljen e konsullatës të premten pasdite dhe shpalli konsullin rus në qytetin portual të Detit të Zi person ‘non grata’, ndërsa Ministria e Jashtme e Rumanisë thirri gjithashtu ambasadorin rus në Bukuresht për incidentin.

Burimi: AFP

29.05.2026. 17:25

Droni goditi kompleksin e banimit, Rumania ngre avionët F-16! Shpallet 'non grata' konsulli rus, reagon Moska

Rumania ka urdhëruar mbylljen e konsullatës ruse në qytetin e Konstancës pasi një dron rus u rrëzua në një ndërtesë apartamentesh në pjesën lindore të vendit dhe plagosi dy persona, duke shkaktuar një nga incidentet më të rënda nga shkelja e hapësisës ajrore të vendeve të NATO-s, që dronët rusë dhe ukrainas po bëjnë në muajt e fundit, teksa dy vendevet vazhdojnë sulmet ndaj njëri-tjetrit.

Presidenti rumun Nicuşor Dan njoftoi mbylljen e konsullatës të premten pasdite dhe shpalli konsullin rus në qytetin portual të Detit të Zi person ‘non grata’, ndërsa Ministria e Jashtme e Rumanisë thirri gjithashtu ambasadorin rus në Bukuresht për incidentin.

Ushtria rumune konfirmoi se një Geran-2, versioni rus i dronit Shahed të projektuar nga Irani, u rrëzua në çatinë e një ndërtese apartamentesh në qytetin e Galatit, i vendosur pikërisht përtej kufirit me Ukrainën jugore dhe Moldavinë.

“Gjatë natës së 28-29 majit, Federata Ruse rifilloi sulmet me dronë ndaj objektivave civile dhe infrastrukturore në Ukrainë, pranë kufirit lumor me Rumaninë. Një nga këto dronë hyri në hapësirën ajrore rumune, u gjurmua nga radari deri në pjesën jugore të qytetit të Galatit dhe u rrëzua në çatinë e një pallati apartamentesh, me ndikimin që shkaktoi një zjarr", tha Ministria e Mbrojtjes në një deklaratë.

Dy persona u plagosën dhe u shtruan në spital, ndërsa shërbimet e emergjencës më vonë shuan flakët. Ushtria e Rumanisë po ashtu ngriti në ajër dy avionë luftarakë F-16 menjëherë pasi objektivat ajrore u zbuluan në hapësirën ajrore të vendit.

Sakaq, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i tha medias shtetërore ruse të premten se Presidenti Vladimir Putin ishte informuar për incidentin me dronin në Rumani, por nuk tha nëse mjeti fluturues i përkiste ushtrisë ruse.

Foto: AP/Mindaugas Kulbis

Ministria e Jashtme e Rusisë u zotua për një përgjigje ndaj mbylljes së konsullatës së saj në Konstanca, por Rumania e mbrojti vendimin e saj duke thënë se rrëzimi i dronit “përfaqëson një përshkallëzim serioz dhe të papërgjegjshëm nga ana e Federatës Ruse”.

Autoritetet në Bukuresht kanë informuar Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, për incidentin dhe kërkuan masa për të përshpejtuar transferimin e aftësive kundër dronëve në Rumani.

Në një telefonatë me presidentin e Rumanisë më vonë të premten, Rutte premtoi “solidaritetin absolut” të aleancës me Bukureshtin dhe kritikoi ashpër “sjelljen e pamatur të Rusisë”, duke thënë se “është një rrezik për të gjithë ne”.

Ndërkohë, burime në NATO i thanë AFP-së se mbetet e paqartë nëse Rumania planifikon të përdorë Nenin 4 të traktatit të aleancës ushtarake, një mekanizëm i përdorur rrallë që inicion konsultime me anëtarët e tjerë dhe potencialisht mund të çojë në një formë vendimi ose veprimi të përbashkët në emër të NATO-s.

Neni 4 u përdor për herë të fundit në shtator 2025 pasi dronët rusë hynë në hapësirën ajrore polake gjatë një sulmi gjatë natës në Ukrainë.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Etiketat:

Komente (0)