Një situatë alarmante është krijuar në fshatin Coalsnaughton në Skoci, ku dhjetëra familje janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre për shkak të lëvizjeve të tokës që dyshohet se lidhen me shembjen e minierave të vjetra të qymyrit nën zonë.
Fillimisht, autoritetet evakuuan rreth 30 banesa në lagjen Benbuck Vieë, ndërsa këtë javë edhe banorët e 30 shtëpive të tjera në Dunmoss Vieë u urdhëruan të largoheshin menjëherë për arsye sigurie. Frika po përhapet edhe në rrugët përreth, ku shumë familje kanë nisur të bëjnë gati valixhet në rast se situata përkeqësohet.
Banorët raportojnë çarje të mëdha në mure, tavane, korniza dritaresh dhe dyersh, ndërsa në disa raste dyert nuk hapen më normalisht për shkak të deformimit të ndërtesave. Disa prej tyre thonë se gjatë natës kanë dëgjuar zhurma të pazakonta dhe kërcitje të forta, përpara se të zbulonin dëmtimet serioze në mëngjes.
Marc Payoyo, një banor që ishte vendosur në zonë vetëm pak muaj më parë, deklaroi se shtëpia e tij duket sikur po anohet. Sipas tij, çarjet po shfaqen jo vetëm në ndërtesa, por edhe në oborre dhe trotuare.
Dokumente të mëparshme të planifikimit urban tregojnë se zona është ndërtuar mbi galeri të vjetra qymyri, disa prej të cilave janë shfrytëzuar që në vitin 1875.
Autoritetet lokale kanë rrethuar zonën, ndërsa ekipe specialistësh dhe gjeologësh po kryejnë sondazhe intensive për të përcaktuar shkakun e saktë të fenomenit. Në terren janë vendosur pajisje të rënda shpimi dhe monitorimi.
Drejtuesit e pushtetit lokal kanë theksuar se prioritet mbetet siguria e banorëve, ndërsa ekspertët e Autoritetit për Rehabilitimin e Minierave kanë bërë të ditur se hetimet po vazhdojnë me ritëm të shpejtë.
Banorët, ndërkohë, jetojnë mes pasigurisë dhe frikës se lëvizjet e tokës mund të përhapen edhe në pjesë të tjera të fshatit, duke rrezikuar më shumë shtëpi dhe familje.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)