Heroi 12-vjeçar ndal “dronin vrasës” të rusëve, shpëton fëmijët në Ukrainë

Ai kishte mësuar më herët një mënyrë për të ndalur dronët e rinj rusë me fibër optike, të cilët nuk kontrollohen me sinjal radio, por me një kabllo tepër të hollë që shtrihet pas dronit gjatë fluturimit.

19.05.2026. 16:13

Heroi 12-vjeçar ndal “dronin vrasës” të rusëve, shpëton fëmijët në Ukrainë

Një ngjarje e pazakontë është raportuar nga “Washington Post”, ku një djalë 12-vjeçar në veri të Ukrainës arriti të ndalojë një dron sulmues rus, duke shmangur një tragjedi të mundshme në fshatin e tij pranë kufirit. Anatolii Prochorenko ndodhej mbi një pemë dardhe duke prerë një degë për një fqinj, kur dëgjoi zhurmën karakteristike të një droni që afrohej.

Në zonën ku jeton, sulmet me dronë të vegjël, të ashtuquajtur FPV janë bërë gjithnjë e më të shpeshta, duke shënjestruar civilë, automjete dhe mjete bujqësore. Sipas raportimit, droni i zi me katër helika po fluturonte shumë pranë tokës dhe po drejtohej drejt pronës së familjes së tij, ku vëllezërit dhe motrat më të vegjël po luanin në oborr me fëmijë të tjerë.

12-vjeçari kuptoi menjëherë rrezikun dhe vendosi të vepronte. Ai kishte mësuar më herët një mënyrë për të ndalur dronët e rinj rusë me fibër optike, të cilët nuk kontrollohen me sinjal radio, por me një kabllo tepër të hollë që shtrihet pas dronit gjatë fluturimit. Kjo mënyrë e bën të pamundur që sinjali të bllokohet me pajisje elektronike.

Anatolii u hodh nga pema, vrapoi drejt kabllos së hollë, e kapi, e mbështolli dhe e tërhoqi fort. Sipas tij, një ushtar ukrainas me nofkën “Dynamo” i kishte treguar që duhej të numëronte deri në 15 para se ta këpuste kabllon. “Nuk pata kohë”, ka deklaruar ai për “Washington Post”, “Numërova vetëm deri në dhjetë dhe pastaj e këputa.”

Menjëherë pas ndërprerjes së kabllos, droni humbi lidhjen me operatorin rus, u ngrit papritur lart, devijoi dhe u rrëzua në një kënetë pranë fshatit. Sipas raportimeve, nuk pati shpërthim.

Foto: AP

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)