Në Amantia zbulohen sekrete pas 2 mijë vitesh, dalin në dritë struktura të reja antike

Parku Arkeologjik i Amantias ndodhet pranë fshatit Ploçë, në Bashkinë Selenicë, dhe konsiderohet një nga qendrat më të rëndësishme arkeologjike të Shqipërisë së Jugut.

29.05.2026. 19:28

Në Amantia zbulohen sekrete pas 2 mijë vitesh, dalin në dritë struktura të reja antike

Qyteti antik i Amantias vijon të zbulojë histori të fshehura prej shekujsh. Gërmimet më të fundit arkeologjike në Parkun Arkeologjik të Amantias kanë sjellë në dritë struktura dhe të dhëna të reja që hedhin më shumë dritë mbi organizimin urbanistik dhe jetën e këtij qyteti të rëndësishëm ilir.

Lajmi u bë i ditur nga ministri i Kulturës, Blendi Gonxhja, i cili njoftoi për përfundimin e fazës së fundit të kërkimeve të realizuara nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë dhe Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore.

Sipas Gonxhes, gjatë gërmimeve është zbuluar një godinë antike në zonën e agorasë, që mendohet të ketë qenë qendra e jetës publike dhe ekonomike të qytetit.

“Gërmimet nxorën në dritë një godinë antike në zonën e agorasë, si edhe të dhëna të reja mbi fortifikimin e qytetit të poshtëm, duke dëshmuar vazhdimësinë e jetës dhe zhvillimit të Amantias nga shekulli III para Krishtit deri në shekullin VI pas Krishtit”, u shpreh ministri.

Ai theksoi gjithashtu se kërkimet arkeologjike do të vijojnë edhe në vitet e ardhshme, paralelisht me ndërhyrjet restauruese që synojnë ruajtjen dhe promovimin e këtij siti të rëndësishëm kulturor.

“Amantia mbetet një pasuri e çmuar e trashëgimisë sonë kulturore dhe një dëshmi e gjallë e historisë ilire”, deklaroi Gonxhja.

Parku Arkeologjik i Amantias ndodhet pranë fshatit Ploçë, në Bashkinë Selenicë, dhe konsiderohet një nga qendrat më të rëndësishme arkeologjike të Shqipërisë së Jugut.

I themeluar rreth shekullit V para erës sonë, Amantia ishte një qytet ilir me rol të rëndësishëm politik dhe kulturor, i cili gjatë periudhës romake njohu zhvillim të mëtejshëm dhe mori statusin e qytetit.

Brenda parkut arkeologjik ruhen disa prej monumenteve më të rëndësishme të antikitetit, mes tyre stadiumi antik i ndërtuar në shekullin III p.e.s., një ndër më të mirët e ruajtur në Ballkan, muret monumentale rrethuese, Tempulli i Afërditës, nekropoli dhe mbetjet e akropolit.

E vendosur mes kodrave me pamje panoramike drejt luginës së Vjosës, Amantia mbetet një destinacion unik që ndërthur historinë e lashtë me bukurinë natyrore, duke tërhequr gjithnjë e më shumë vizitorë dhe studiues.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)