Birçe Hasko, një prej figurave më të njohura të teatrit dhe kinematografisë shqiptare, është ndarë nga jeta në moshën 84-vjeçare. Aktori u konsiderua ndër emrat më të dashur të ekranit shqiptar, i njohur për interpretimet e tij në role me karakter popullor dhe komik, ku solli në mënyrë të veçantë figurën e njeriut të thjeshtë të jugut, duke lënë një gjurmë të fortë në artin skenik.
Gjatë karrierës së tij artistike, Hasko ka interpretuar në mbi 30 filma shqiptarë dhe disa role teatrale, duke u bërë pjesë e rëndësishme e historisë së kinemasë vendase. Një nga interpretimet e tij më të njohura mbetet roli i Milos në komedinë “Shi në plazh”. Ai e nisi rrugëtimin profesional fillimisht si mësues dhe drejtues shkolle në zona të ndryshme të vendit, përpara se të studionte për aktrim në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë.
Më pas, ai u angazhua edhe si pedagog dhe më vonë si drejtues në Akademinë e Arteve. Në teatër dhe film, Hasko u dallua për aftësinë e tij për të ndërtuar karaktere të gjalla dhe autentike, duke u konsideruar një nga aktorët më përfaqësues të brezit të tij. Kinematografia shqiptare është në zi, pasi ka humbur një prej kolosëve të saj, gjurmët e të cilit do të mbetin të skalitura në histori.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)