Pentagoni ka publikuar një tjetër paketë dokumentesh dhe videosh të deklasifikuara lidhur me fenomenet ajrore të paidentifikuara, të njohura si UFO.
Materialet e reja përfshijnë pamje të filmuara vitet e fundit nga ushtria amerikane, si dhe dëshmi nga oficerë të inteligjencës.
Një nga videot, e regjistruar në vitin 2022, tregon një objekt të paidentifikuar në formë “cigareje” ose sfere që lëviz mbi një rrugë në zonën e operacioneve të Komandës Qendrore Amerikane. Një tjetër video nga viti 2023 duket se paraqet një avion luftarak amerikan duke rrëzuar një objekt të dyshimtë mbi Liqenin Huron.
Në dokumentet e publikuara përfshihet edhe raporti i një oficeri amerikan të inteligjencës, i cili ka deklaruar se gjatë një fluturimi me helikopter në fund të vitit 2025 ka parë “dy disqe të mëdha ndriçuese” në qiell. Sipas përshkrimit të tij, objektet kishin formë ovale, ngjyrë portokalli me qendër të bardhë ose të verdhë dhe lëshonin dritë në të gjitha drejtimet.
Pentagoni bëri të ditur se faqja zyrtare ku janë publikuar materialet ka marrë mbi një miliard vizita që nga publikimi i dosjeve të para dy javë më parë, ndërsa autoritetet amerikane paralajmërojnë se publikime të tjera do të bëhen së shpejti.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)