Vendet anëtare të Bashkimit Europian kanë dhënë dritën jeshile për një tjetër hap në procesin e integrimit të Shqipërisë, duke miratuar draftin e përkohshëm të EUCP-së dhe duke caktuar një Konferencë të re Ndërqeveritare më 26 maj 2026 në Bruksel.
Ky takim, përbën raundin e tetë të Konferencës së Anëtarësimit dhe ka në fokus Grupkapitullin “Themeloret”, që lidhet me institucionet demokratike, reformat në administratë dhe performancën ekonomike të vendit.
Sipas dokumenteve të BE, Shqipëria ka bërë përparim në forcimin e institucioneve dhe në krijimin e një kuadri ligjor për zgjedhje të rregullta, por Brukseli kërkon ende përmirësime konkrete në rregullat zgjedhore dhe në mënyrën si funksionon parlamenti, sidomos sa i përket transparencës.
Në fushën e sigurisë dhe drejtësisë, vlerësohet bashkëpunimi me agjencitë europiane si Europol dhe Frontex, ndërsa kërkohet intensifikim i luftës kundër trafikut të drogës, pastrimit të parave, trafikut të qenieve njerëzore, armëve dhe krimit kibernetik.
Raporti e cilëson Shqipërinë si një vend që po ecën në drejtimin e duhur për ndërtimin e një ekonomie tregu funksionale, por thekson se sfida të mëdha mbeten ende, veçanërisht në lidhje me informalitetin, çështjen e pronave dhe efikasitetin e administratës publike.
Brukseli kërkon gjithashtu një reformim më të thellë të administratës shtetërore, më shumë transparencë në institucionet publike dhe përmirësim të shërbimeve digjitale për qytetarët, si pjesë e përafrimit të plotë me standardet e Bashkimit Europian.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)