Ministri Hoxha në NATO: Rritje investimesh në mbrojtje dhe Samit historik i Aleancës në Tiranë

Në fokus të diskutimeve ka qenë edhe situata e sigurisë në rajone të ndryshme, përfshirë Ballkanin Perëndimor dhe Lindjen e Mesme, si dhe bashkëpunimi i NATO-s me partnerët rajonalë.

22.05.2026. 17:02

Ministri Hoxha në NATO: Rritje investimesh në mbrojtje dhe Samit historik i Aleancës në Tiranë

Ministri i për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha ka marrë pjesë në Takimin jozyrtar të Ministrave të Jashtëm të NATO, i zhvilluar në Helsingborg të Suedisë më 21-22 maj. Aty është diskutuar forcimi i sigurisë kolektive dhe rritja e investimeve në mbrojtje. Gjatë takimit, Hoxha ka theksuar angazhimin e Shqipërisë për të rritur buxhetin e mbrojtjes, duke e cilësuar vitin 2026 si një nga periudhat me investimet më ambicioze që nga anëtarësimi i vendit në Aleancë.

“Buxheti ynë i mbrojtjes për vitin 2026 përfaqëson nivelin më ambicioz të investimeve që kur Shqipëria iu bashkua Aleancës, duke kontribuar në aftësi më të forta kombëtare dhe siguri kolektive”, tha ministri. Ai ka ritheksuar gjithashtu mbështetjen e plotë të Shqipërisë për Ukraine, duke e konsideruar atë një element kyç për sigurinë e Evropës dhe stabilitetin ndërkombëtar.

Në fokus të diskutimeve ka qenë edhe situata e sigurisë në rajone të ndryshme, përfshirë Ballkanin Perëndimor dhe Lindjen e Mesme, si dhe bashkëpunimi i NATO-s me partnerët rajonalë. Një nga pikat më të rëndësishme të deklaratave të ministrit ka qenë njoftimi se Shqipëria do të presë një Samit të NATO-s në Tiranë, të cilin ai e ka cilësuar si një moment historik për vendin dhe rajonin.

“Ndërsa ecim drejt Samitit të NATO-s në Ankara në korrik 2026, nënvizova rëndësinë dhe domethënien e mbajtjes së Samitit të ardhshëm të NATO-s në Tiranë, i cili do të përfaqësojë një moment historik për rajonin dhe një sinjal të fortë të angazhimit të qëndrueshëm të Aleancës ndaj Ballkanit Perëndimor”, theksoi Hoxha.

Foto: Ferit Hoxha/ X

Sipas ministrit, ky zhvillim përfaqëson një sinjal të fortë të angazhimit të vazhdueshëm të Aleancës në Ballkanin Perëndimor dhe një rritje të rolit të Shqipërisë brenda strukturave euroatlantike. Hoxha theksoi gjithashtu rëndësinë e qasjes “360 gradë” ndaj sigurisë, duke nënvizuar nevojën për vëmendje ndaj të gjitha sfidave globale që ndikojnë stabilitetin e Aleancës.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)