Pamje nga ndërtimi i stadiumit për koncertin e Kanye West në Tiranë

Për mbrëmjen e 11 korrikut, projekti parashikon ndërtimin e një stadiumi të përkohshëm me rreth 60 mijë vende, i cili sipas organizatorëve të eventit do të mbajë emrin “Eagle Stadium”.

22.05.2026. 16:46

Pamje nga ndërtimi i stadiumit për koncertin e Kanye West në Tiranë

Në zonën e Kasharit, përgjatë aksit rrugor Tiranë-Durrës kanë nisur punimet për ngritjen e një stadiumi provizor, që do të presë koncertin e artistit ndërkombëtar Kanye West, i cili pritet të mbahet më 11 korrik në Tiranë. Sipas pamjeve të publikuara nga ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja në zonë ka nisur përgatitja e sheshit ku do të ngrihet struktura e përkohshme e koncertit, e konceptuar si një skenë me kapacitet të madh publik.

“Ka nisur puna në Kashar për sheshin ku do të instalohet stadiumi provizor për super spektaklin e Kanye West në Shqipëri, një produksion i përmasave dhe standardeve globale që pritet ta ngrejë Shqipërinë në tjetër nivel reputacioni ndërkombëtar. Një mega event i këtyre dimensioneve përfaqëson jo vetëm një moment të rëndësishëm artistik e kulturor, por edhe një mundësi të jashtëzakonshme për promovimin e vendit, zhvillimin e turizmit dhe fuqizimin e ekonomisë lokale përmes vëmendjes që sjell nga industria globale e muzikës, medias, showbiz dhe entertainment-it”, shkruante ministri Gonxhja.

Projekti parashikon ndërtimin e një stadiumi të përkohshëm me rreth 60 mijë vende, i cili sipas organizatorëve të eventit do të mbajë emrin “Eagle Stadium”. Autoritetet dhe organizatorët e cilësojnë koncertin si një produksion të standardeve ndërkombëtare, që synon të sjellë në Shqipëri një event të përmasave globale dhe të rrisë profilin e vendit në industrinë e muzikës dhe turizmit.

Sipas tyre, prania e një artisti me famë botërore si Kanye West pritet të tërheqë vizitorë të shumtë dhe të ndikojë pozitivisht në ekonominë lokale, veçanërisht në sektorin e shërbimeve dhe turizmit. Koncerti do të jetë një shfaqje “one-night-only”, ndërsa organizatorët theksojnë se do të përdoren standarde të larta teknike dhe skenike për realizimin e tij.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)