Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për një nga të dyshuarit për grabitjen e armatosur të një argjendarie në Kamëz, ndërsa bashkëpunëtori i tij vijon të jetë në arrati. I ndaluari, Elez Hysa, u paraqit sot para gjykatës, e cila pranoi kërkesën e Prokurorisë së Tiranës dhe vendosi ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg”.
Sipas hetimeve, dy persona të maskuar dhe të armatosur, që lëviznin me motor, hynë në një argjendari në zonën e Kamzës dhe kryen grabitjen brenda pak minutash. Autorët kanë thyer vitrinat e dyqanit me mjete të forta dhe kanë marrë bizhuteri me vlerë disa mijëra euro, ndërsa njëri prej tyre dyshohet se ka qëndruar jashtë duke ruajtur situatën.
Gjatë largimit nga vendngjarja, njëri prej tyre është rrëzuar për pak çaste në hyrje të dyqanit, por më pas kanë arritur të largohen me shpejtësi me motor. Policia e Tiranës vijon kërkimet për bashkëpunëtorin tjetër dhe po analizon provat e sekuestruara për të dokumentuar plotësisht ngjarjen dhe rolin e secilit prej të dyshuarve.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)