Numri i nxënësve në sistemin arsimor parauniversitar në Shqipëri vijon të bjerë, duke reflektuar trendin demografik në vend. Sipas të dhënave më të fundit të INSTAT, në vitin akademik 2025 - 2026 janë regjistruar afro 399 mijë nxënës, rreth 1.7% më pak se një vit më parë. Rënia më e theksuar vazhdon të regjistrohet në arsimin 9-vjeçar, ku këtë vit janë ulur në banka rreth 243 mijë nxënës, duke shënuar një ulje prej 2.7% krahasuar me vitin e kaluar.
Në një periudhë më të gjatë, shifrat tregojnë një tkurrje të ndjeshme të sistemit arsimor bazë. Krahasuar me vitin 2016, kur në arsimin 9-vjeçar regjistroheshin mbi 319 mijë nxënës, sot rezulton një rënie prej rreth 75 mijë nxënësish. Kjo përkthehet në një ulje afërsisht 24% brenda një dekade, duke treguar një zbrazje graduale të shkollave në të gjithë vendin. Sipas të dhënave, arsimi publik vijon të mbetet zgjedhja kryesore e familjeve, me mbi 85% të nxënësve që ndjekin këtë sistem.
Ndërkohë, edhe arsimi i mesëm i lartë ka shënuar një rënie të lehtë prej 0.4%, me rreth 88.800 nxënës të regjistruar. Një element që bie në sy është rritja e interesit për arsimin profesional, i cili përfaqëson rreth 19.4% të nxënësve në nivelin e mesëm, ndonëse mbetet i dominuar nga djemtë, ndërsa vajzat përbëjnë një pjesë më të vogël të regjistrimeve.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)