Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi ka deklaruar se mbikalimi aktual në zonën e Rinasit do të shembet dhe do të zëvendësohet me një strukturë të re me katër korsi, në kuadër të punimeve në aksin Tiranë-Durrës. Gjatë një konference për shtyp, ministri tha se projekti synon të lehtësojë trafikun e rënduar në një nga segmentet më problematike të qarkullimit në vend.
Ai shtoi se ndërhyrjet në infrastrukturë po vazhdojnë në disa pika të autostradës. Sipas ministrit, në pjesë të caktuara të rrugës tashmë janë hapur korsitë shtesë në të dy drejtimet, gjë që ka ndikuar në përmirësimin e qarkullimit, edhe pse ende krijohen ngushtime në zonën e mbikalimit. Karakaçi konfirmoi gjithashtu se projekti parashikon shembjen e strukturës ekzistuese dhe ndërtimin e një mbikalimi të ri modern me kapacitet më të madh, i cili do të shoqërohet me zgjerim të mëtejshëm të korsive.
“Hinka që krijohet në mbikalimin e Rinasit, kemi në fuqi kontratën duke u zbatuar dhe çdo qytetar që kalon aty mund ta shikojë vazhdimin e punimeve pas mbikalimit të Rinasit. Pjesë e kësaj kontrate është shembja e mbikalimit të Rinasit, krijimi i një mbikalimi të ri me 4 korsi, dhe vazhdimi i korsive shtesë që janë duke u punuar dhe kjo do i japë një shfryrje më të madhe trafikut në Tiranë-Durrës”, tha Karakaçi.
Ai theksoi se rruga do të jetë pa pagesë për qytetarët, duke argumentuar se investimet po financohen nga buxheti i shtetit dhe nuk përfshijnë tarifa për përdoruesit. “Çdo rrugë e financuar nga buxheti i shtetit nuk do të ketë pagesë për qytetarët”, u shpreh ministri. Në deklaratat e tij, ai u ndal edhe te projekti i aeroportit të Vlorës, duke thënë se qeveria do të ndërhyjë vetëm për zbatimin e kontratës koncesionare dhe funksionalizimin e tij, pa u përfshirë në mosmarrëveshjet mes palëve private.
“Për aeroportin e Vlorës dua të theksoj se ka rëndësi strategjike dhe do marrim të gjitha masat e nevojshme që pavarësisht çdo mosmarëveshje civile që kanë dy palët private që janë pjesë e koncesionit, pavarësisht mosmarrëveshjeve, ministria do marrë të gjitha masat e nevojshme që lejon kontrata e koncesionit, që ta bëjë operacionale, për t’i futur në përputhje me kushtet e kontratës”, deklaroi ai.
Po ashtu, ministri foli edhe për situatën e furnizimit me karburante, duke siguruar se tregu shqiptar nuk rrezikohet nga zhvillimet në Lindjen e Mesme, për shkak të diversifikimit të burimeve të importit. Sipas tij, mbi 90% e furnizimit me hidrokarbure vjen nga rrugë alternative, duke e bërë vendin të qëndrueshëm përballë krizave të mundshme ndërkombëtare.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)