Hyn për t’u freskuar në det, humb jetën i riu shqiptar në Itali

Në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e 118 dhe vullnetarët e Kryqit të Kuq Italian, të cilët kanë tentuar ta reanimojnë të riun, por fatkeqësisht ai nuk ka mundur të shpëtojë.

Burimi: La Nazione

22.05.2026. 18:47

Hyn për t’u freskuar në det, humb jetën i riu shqiptar në Itali

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Cadimare, në Itali, ku një i ri shqiptar 23 vjeç është gjetur pa shenja jete në det nga pushuesit e pranishëm në plazhin e zonës.

Sipas mediave italiane, dëshmitarët e kanë parë trupin e pajetë duke qëndruar në ujë, i palëvizshëm dhe i tërhequr nga dallgët pranë bregut. Fillimisht ata kanë dyshuar se mund të ishte ende gjallë, por pas mungesës së çdo reagimi kanë lajmëruar menjëherë shërbimet e emergjencës.

Në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e 118 dhe vullnetarët e Kryqit të Kuq Italian, të cilët kanë tentuar ta reanimojnë të riun, por fatkeqësisht ai nuk ka mundur të shpëtojë.

Sipas raportimeve, i riu, kishte mbërritur në zonë vetëm dhe kishte kaluar disa orë pranë plazhit përpara se të futej në det. Dyshohet se shkaku i mundshëm i vdekjes mund të ketë qenë një gjendje e papritur shëndetësore ose një problem i lidhur me temperaturën e ujit dhe ndryshimin e menjëhershëm të kushteve fizike gjatë notit.

Ngjarja ka ndodhur në një ditë të ngarkuar në zonë, ku në Spezia po zhvillohej edhe kalimi i Giro d’Italia, duke sjellë një atmosferë festive që u ndërpre nga tragjedia.

Policia italiane ka mbërritur gjithashtu në vendngjarje për të kryer identifikimin dhe për të marrë sendet personale të viktimës. Sipas hetimeve të para, i riu nuk ishte rezident në Spezia dhe ndodhej në Itali me dokumentacion të rregullt.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)