Ish-princi Andrew po përballet me akuza të reja në kuadër të hetimeve mbi lidhjet e tij të mëparshme me financierin Jeffrey Epstein. Sipas raportimeve të Sky News, policia britanike ka hapur hetime për dyshime mbi vepra seksuale të kryera në një rezidencë mbretërore pranë Kështjellës Windsor. Hetuesit synojnë të marrin në pyetje një grua, e cila pretendon se është dërguar në banesën e Andrew në Windsor “për qëllime seksuale”.
Autoritetet britanike po kërkojnë gjithashtu dëshmi nga viktima të tjera të mundshme të lidhura me rrjetin e Epstein. Dyshimet e reja janë ngritur pas deklaratave publike të gruas, që pretendon se ka qenë pjesë e rrethit të Epstein.
Megjithatë, policia ende nuk e ka marrë zyrtarisht në pyetje dhe po përpiqet të vendosë kontakt me të. Deri më tani, Andrew ishte hetuar vetëm për dyshime mbi “sjellje të pahijshme në funksion publik”, lidhur me informacionet konfidenciale që dyshohet se i kishte ndarë me Epstein gjatë periudhës kur shërbente si përfaqësues britanik për tregtinë ndërkombëtare nga viti 2001 deri në 2011.
Ish-duka i Jorkut ka mohuar vazhdimisht çdo shkelje apo përfshirje në aktivitete të paligjshme. Vitin e kaluar, ai u privua nga titujt e fundit mbretërorë dhe u largua nga rezidenca në Windsor me vendim të vëllait të tij, Mbretit Charles III. Aktualisht ai jeton në një rezidencë në Norfolk, pranë kompleksit mbretëror të Sandringham.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)