Organizatat kriminale në mbarë botën vijojnë të mbeten një nga kërcënimet më të mëdha globale, me një bilanc vdekjeprurës që sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara arrin në rreth 95 mijë viktima çdo vit, një shifër e krahasueshme me numrin e të vrarëve nga luftërat në botë. Të dhënat janë bërë publike në raportin e parë global mbi organizatat kriminale ndërkombëtare, i prezantuar në Palermo nga Zyra e OKB-së kundër Drogës dhe Krimit, në përvjetorin e masakrës së Capaci-t.
“Nga viti 2000 deri më sot, mafiet globale kanë vrarë 95.000 njerëz në vit, shifër e barabartë me numrin e viktimave vjetore të luftërave”, deklaroi Giovanni Gallo, drejtues i seksionit të OKB-së kundër krimit. Sipas raportit, shifra rrëzon perceptimin se grupet kriminale moderne kanë reduktuar përdorimin e dhunës.
“Një figurë padyshim alarmante që nuk e konfirmon mitin sipas të cilit organizatat kriminale kanë ndryshuar mënyrën e tyre të veprimit duke iu drejtuar më pak dhunës”, tha më tej Gallo. Studimi analizon evolucionin e mafieve ndërkombëtare nga viti 2000, kur u firmos Konventa e Palermos kundër krimit të organizuar, deri në ditët e sotme. Në fokus janë katër elementë kryesorë: numri i lartë i vrasjeve, zgjerimi i krimit përmes teknologjisë, trafiku i drogës dhe diversifikimi i aktiviteteve ilegale.
Raporti thekson se trafiku i narkotikëve mbetet aktiviteti më fitimprurës për organizatat kriminale. Vetëm përgjatë rrugës ballkanike, trafiku i heroinës dhe metamfetaminës gjeneron nga 3 deri në 7 miliardë dollarë në vit, ndërsa trafiku i kokainës prodhon të ardhura të paktën dhjetë herë më të larta.
Ekspertët evidentojnë gjithashtu se mafiet kanë zgjeruar aktivitetin e tyre edhe në fusha të tjera si krimet mjedisore, trafiku i veprave të artit dhe prerjet ilegale të pyjeve. Një tjetër element shqetësues i raportit është përdorimi sistematik i dhunës dhe intimidimit për ruajtjen e kontrollit territorial dhe ekonomik. Sipas të dhënave të OKB-së, një në pesë vrasje me paramendim në botë lidhet me organizatat kriminale, ndërsa në Amerikën Latine ky raport shkon deri në një në dy vrasje, kryesisht për shkak të kartelëve të drogës.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)