Greqia po hyn në sezonin turistik veror të vitit 2026 me një avantazh të fortë në tregun e akomodimeve afatshkurtra, pasi kërkesa për qira turistike është rritur ndjeshëm. Kjo ka bërë që çmimet të shënojnë rritjen më të madhe sezonale në Europë. Sipas të dhënave më të fundit nga platforma analitike AirDNA, kërkesa për akomodime afatshkurtra në Greqi është rritur me 9.3% krahasuar me një vit më parë.
Rezervimet e bëra paraprakisht për sezonin veror kanë arritur tashmë në 3.9 milionë net qëndrimi, me kulmin e kërkesës gjatë muajve korrik dhe gusht. Muaji korrik kryeson me një rritje prej 13.5%, i ndjekur nga gushti me 11.4%, ndërsa shtatori po shfaq gjithashtu ritme të forta me 12.4%, duke treguar se sezoni turistik në Greqi po zgjatet përtej muajve tradicionalë të verës.
Tejkalohet mesatarja europiane
Rritja e kërkesës në Greqi tejkalon mesataren europiane prej 7.8% në 20 tregjet kryesore të kontinentit. Në të njëjtën kohë, Portugalia regjistroi një rritje më modeste prej 5.7%, ndërsa Kroacia shënoi rënie me 6.4%. Sipas AirDNA, kjo tregon shenja lodhjeje të tregut prej bumit turistik pas pandemisë.
Në nivel evropian, Franca mbetet tregu më i madh me 22.7 milionë net qëndrimi dhe një rritje prej 8.7%, ndërsa Britania e Madhe dhe Italia po ashtu shfaqin rritje të fortë me përkatësisht 13.6% dhe 11.6%.
Çmimet në nivele rekord
Ajo që e dallon më shumë Greqinë këtë sezon është strategjia e çmimeve. Vendi ka regjistruar rritjen më të madhe sezonale të çmimeve në Europë, me një premium prej 54.9%. Çmimi mesatar ditor, për një akomodim afatshkurtër në Greqi arrin në 174 euro gjatë verës, krahasuar me vetëm 113 euro gjatë sezonit të ulët. Në kontrast, vende si Norvegjia, Belgjika dhe Holanda kanë ndryshime minimale të çmimeve gjatë vitit, duke reflektuar modele më të balancuara turistike.
Mykonos destinacioni më i shtrenjtë
Ishulli i Mykonos vazhdon të jetë motori kryesor i rritjes së çmimeve në Greqi. Gjatë verës, çmimi mesatar ditor në ishull arrin në 758 euro, krahasuar me 458 euro jashtë sezonit, një rritje prej 65.6%. Në gjithë Europën, vetëm Portimão në Algarve të Portugalisë dhe Marbella në Spanjë kanë regjistruar rritje sezonale të ngjashme të çmimeve.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)