“Uzurpator pa zgjedhje”, Salianji: Demokratët kanë bojkotuar votimet, nuk kanë dalë as 1000 anëtarë

Salianji deklaroi se pjesëmarrja në votime ka qenë shumë e ulët dhe pretendoi se në të gjithë Shqipërinë nuk kanë marrë pjesë as 1000 anëtarë të partisë.

23.05.2026. 17:43

“Uzurpator pa zgjedhje”, Salianji: Demokratët kanë bojkotuar votimet, nuk kanë dalë as 1000 anëtarë

Demokrati Ervin Salianji ka reaguar ashpër ndaj procesit për zgjedhjen e kreut të Partisë Demokratike, pasi kandidatura e tij për drejtimin e partisë u skualifikua dhe nuk u lejua të marrë pjesë në garë.

Përmes një deklarate publike, Salianji akuzoi kreun e PD-së, Sali Berisha, se po zhvillon një proces farsë dhe pa konkurrencë reale, duke e cilësuar atë si “simbol të votimit pa garë” dhe “uzurpator pa zgjedhje”.

Salianji deklaroi se pjesëmarrja në votime ka qenë shumë e ulët dhe pretendoi se në të gjithë Shqipërinë nuk kanë marrë pjesë as 1000 anëtarë të partisë. Ai paralajmëroi se do të publikojë prova dhe materiale që, sipas tij, tregojnë pjesëmarrjen reale dhe tentativat për manipulim të shifrave.

Ai falënderoi gjithashtu demokratët që, sipas tij, kanë bojkotuar procesin e votimit dhe ata që i kanë dërguar prova nga qendrat e votimit.

Kandidatura e Ervin Salianjit për kreun e PD-së u refuzua nga strukturat drejtuese të partisë, duke e lënë garën pa rivalë për drejtimin e forcës më të madhe opozitare në vend.

“Pergjigje për Sali kolltukun; për njeriun më e dhimbshme se humbja është poshtërimi, qesharakëzimi dhe përbuzja përmes talljes.

Sot je kthyer në simbolin e votimit pa garë, uzurpatorit pa zgjedhje dhe pa dinjitet politik, vrasesin e shpreses se qytetarëve për ndryshim!

Deri tani, në të gjithë Shqipërinë nuk kanë marrë pjesë as 1000 anëtarë. Do t’i faktoj me prova reale sa ka qenë pjesëmarrja dhe si po përgatitesh ta manipulosh atë me shifra false.

Meqë e ke me qejf; Je i pashpresë. Frika nga gara të çoi në uzurpimin e Partisë Demokratike dhe në aleancë të hapur me Ramën për të forcuar regjimin Rama-Berisha. Demokratët nuk ta pranojnë më modelin e partisë private, ku votohet pa zgjedhje dhe përjashtohet kush mendon ndryshe.

Bashkë me demokratët do ta çmontojmë regjimin Rama-Berisha dhe do të rrëzojmë praktikat puniste të votimit farsë, që poshtërojnë pluralizmin dhe mbajnë peng opozitën shqiptare. 

Falenderime pafund per qindra demokrate që me sjellin me foto fletet e votimit dhe mijëra te tjere qe e kane perbuzur farsen duke e bojkotuar”, shkruan Salianji.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)