Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Klodian Braho mori pjesë në një takim ndërkombëtar të zhvilluar në Palermo të Italisë, me temë bashkëpunimin juridik ndërkombëtar dhe sfidat e krimit të organizuar transnacional.
Takimi u mbajt në Pallatin e Drejtësisë në Palermo, në kuadër të përkujtimit të gjyqtarëve Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino, dhe mblodhi përfaqësues të institucioneve të drejtësisë nga Europa, Ballkani Perëndimor dhe Amerika Latine.
Gjatë fjalës së tij, Braho theksoi se krimi i organizuar sot funksionon përmes rrjeteve ndërkombëtare gjithnjë e më të sofistikuara, të cilat përshtaten shpejt me zhvillimet teknologjike dhe financiare. Ai nënvizoi rëndësinë e hetimeve që synojnë të zbulojnë gjithë zinxhirin e aktivitetit kriminal, nga origjina e tij deri te pastrimi i parave dhe destinacioni final i përfitimeve të paligjshme.
Një tjetër pikë e rëndësishme e diskutimit ishte nevoja për të shmangur përgjithësimet publike mbi baza kombësie apo përkatësie, duke theksuar se lufta kundër krimit duhet të fokusohet vetëm te individët dhe rrjetet konkrete kriminale, mbi bazën e provave dhe analizës profesionale.
SPAK vlerëson se përballja me krimin e organizuar kërkon hetime proaktive, shkëmbim të shpejtë informacioni dhe bashkëpunim të vazhdueshëm ndërkombëtar.
Sipas institucionit, SPAK mbetet një partner aktiv dhe i besueshëm në bashkëpunimin ndërkombëtar për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)