Berisha fiton garën pa rivalë, merr 37 mijë vota dhe mban partinë: Të pamposhtur për të rrëzuar diktaturën

Sali Berisha është shpallur fitues i referendumit në radhët e PD për drejtimin e partisë, në garën ku nuk kishte asnjë rival.

23.05.2026. 21:54

Berisha fiton garën pa rivalë, merr 37 mijë vota dhe mban partinë: Të pamposhtur për të rrëzuar diktaturën

Ashtu edhe siç pritej Sali Berisha do të vazhdojë të drejtojë partinë më të madhe opozitare, pasi u shpall fitues i zgjedhjeve të kthyera në referendum, që u mbajtën ditën e sotme në degët e PD në mbarë vendin, në garën ku ai nuk kishte asnjë rival përballë.

Sipas të dhënave paraprake të lexuara nga Albana Vokshi, Berisha ka fituar 37 341 mijë vota nga 39 441 të hedhura në kutitë e votimit, ndërkohë që 1058 votuan kundër, 506 abstenim, teksa 539 vota ishin të pavlefshme.

Vokshi deklaroi se gjatë ditës së shtunë u votua në 77 degë të PD teksa procesi ishte i rregullt, i qetë dhe shumë transparent.

Sali Berisha doli menjëherë në konferencë për konfirmimit të këtij rezultati duke thënë se kjo ishte fitorja më e rëndësishme për të që prej krijimit të Partisë Demokratike.

Teksa falënderoi demokratët që votuan masivisht për të, Berisha shprehu dhe njëherë angazhimin e tij për të vijuar betejën deri në fund për largimin e asaj që ai e quan diktaturë e Edi Ramës.

“Përshëndetje të përzemërta. Jam këtu për të shprehu mirënjohjen, nderimin më të thellë për të gjithë demokratët që votuan për riafirmimin timë me një votëbesim masiv në krye të PD. Mirënjohje të veçantë edhe për ata që votuan ndryshe. I garantoj se vota e tyre ndryshe, kundër e abstenim do të mbahet shënim në kuptimin e asaj që do të bëj gjithçka për t’u dhënë përgjigje më të mirë vërejtjeve për të cilat ata votuan kundër.

Jemi një familje, e mbrojtur në palcë në qelizë me diversitetin me standard demokratik. Shumë mirënjohje për komisionerët në të katër anët e vendit që organizuan këtë proces shembullor në të gjitha degët e PD të Shqipërisë. Falënderim të përzemërt për kryetarët, udhëheqësit politikë, kryesitë dhe të gjithë ata që kontribuan në këtë proces. Iu them demokratëve se për mua, ky është votimi më i rëndësishëm, më i jashtëzakonshëm sepse me këtë votëbesim ju vendosët të ecim të pamposhtur drejt qëllimeve tona madhore. Të ecim në përmbushjen e misionit tonë të madh.

Rreth 40 mijë gra dhe burra politikë që ngrihen fuqishëm pas betejash të fuqishme për të vazhduar luftën tonë deri në fitore. Ky është një besim i madh i të gjithë ju që morët pjesë në votim, në forcën, në vizionin, vendosmërinë e PD për të përmbysur diktaturën e dytë. Me votën tuaj ju keni lënë pa gjumë organizatën kriminale dhe kreun e saj, keni lënë pa gjumë kartelet e drogë, mafien e fjalës së lirë që ka dy muaj që me një agresion mediatik të paparë bën gjithçka të përbaltë këtë proces më të fuqishmin që ka njohur PD në ekzistencën e saj. Fitorja jonë është e pashmangshme. Ky proces që mbyllet sot ka nxjerrë PD më të fortë se kurrë në ekzistencën e saj”

Kujtojmë që nga gara për kreun e Partisë Demokratike u përjashtuan dhe u skualifikuan zyrtarisht 5 kandidatë Ervin Salianji, Evi Kokalari, Alesia Balliu, Mereme Sela dhe Vladimir Mulaj.

Gjatë ditës së sotme, Salianji ka reaguar disa herë për procesin zgjedhor duke e cilësuar atë një farsë, e duke shtuar se pjesa më e madhe e demokratëve kanë bojkotuar atë.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)