Përplasje pranë Presidencës pas protestës studentore në Beograd, mbi 20 të arrestuar, plagosen policë

Ndërkohë, Prokuroria e Lartë Publike në Beograd dënoi ashpër sulmet ndaj forcave të rendit, duke theksuar se të gjithë personat e përfshirë në dhunë do të identifikohen dhe procedohen penalisht.

23.05.2026. 23:37

Përplasje pranë Presidencës pas protestës studentore në Beograd, mbi 20 të arrestuar, plagosen policë

Tensione të forta dhe përleshje me policinë janë regjistruar mbrëmjen e së shtunës në qendër të Beogradit, menjëherë pas përfundimit të protestës së studentëve në sheshin “Slavija”. Situata eskaloi pranë ndërtesës së Presidencës së Serbisë, ku sipas mediave lokale dhe autoriteteve, mbetën të plagosur disa policë dhe u arrestuan të paktën 23 persona.

Sipas raportimeve nga terreni, incidentet nisën në zonën mes “Stari Dvor” dhe Presidencës, në rrugën “Kralja Milana”, ku një grup të rinjsh hodhën flakadanë dhe mjete piroteknike në drejtim të forcave policore. Pas kësaj, policia formoi kordone sigurie dhe nisi shtyrjen e protestuesve drejt zonës së “Slavijas”.

Në disa pjesë të qytetit u raportua për përdorim gazi lotsjellës, ndërsa dëshmitarët thanë se u dëgjuan edhe shpërthime të ngjashme me bomba zhurmuese. Rrugët e qendrës së Beogradit u mbushën me tym, kontejnerë të rrëzuar dhe xhama të thyer, ndërsa qytetarët u panë duke u larguar me vrap nga zona e përplasjeve.

Forca të shumta të xhandarmërisë dhe automjete të blinduara u vendosën pranë “Pionirskit Park”, ndërsa policia vazhdoi operacionin për shpërndarjen e turmës. Sipas raportimeve, pati edhe përleshje fizike mes disa protestuesve në afërsi të “Cvetni Trg”.

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiç deklaroi se gjatë trazirave janë lënduar efektivë policie dhe se 23 persona janë ndaluar nga autoritetet. Ai paralajmëroi se kushdo që ka sulmuar policinë do të përballet me ligjin.

Ndërkohë, Prokuroria e Lartë Publike në Beograd dënoi ashpër sulmet ndaj forcave të rendit, duke theksuar se të gjithë personat e përfshirë në dhunë do të identifikohen dhe procedohen penalisht.

Në reagimet politike pas ngjarjes, përfaqësues të opozitës akuzuan policinë për përdorim force ndaj qytetarëve. Kryetari i partisë “Novo lice Srbije”, Miloš Parandilović, deklaroi se pas protestës është arrestuar edhe një këshilltar i kësaj force politike në Valjevë, duke kërkuar lirimin e tij dhe të të arrestuarve të tjerë.

Sipas mediave serbe, tensionet u rritën pak minuta pasi kryetarja e Kuvendit serb, Ana Brnabić, vizitoi mbështetësit e pushtetit në “Pionirski Park”. Pas fjalimit të saj, situata doli jashtë kontrollit dhe përplasjet u zhvendosën në disa pika të qendrës së kryeqytetit.

Megjithatë, gjatë orëve të vona të natës, situata u raportua më e qetë, edhe pse në terren vazhdonin të qëndronin protestues dhe forca të shumta policore.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Etiketat:

Komente (0)