Shtetet e Bashkuara kanë reaguar ndaj planit të Qeverisë së Kosovës për krijimin e Xhandarmërisë, duke theksuar se presin që çdo iniciativë e tillë të jetë në përputhje me zotimet e Kosovës për ruajtjen e paqes dhe sigurisë.
Një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Prishtinë ka bërë të ditur se SHBA po i monitoron nga afër zhvillimet dhe propozimet lidhur me krijimin e kësaj force të re sigurie.
Më 19 maj, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, njoftoi nisjen e hapave të parë për themelimin e Xhandarmërisë së Kosovës. Sipas tij, kjo strukturë synon të ketë rol në mbrojtjen e kufijve, integritetit territorial, luftën kundër terrorizmit, menaxhimin e trazirave dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike.
Reagime për këtë çështje ka pasur edhe nga NATO dhe misioni i saj në Kosovë, KFOR, të cilët kanë deklaruar se po e ndjekin situatën dhe presin koordinim të ngushtë me institucionet vendore. NATO ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me të gjitha strukturat e sigurisë për stabilitetin në Kosovë dhe rajon.
Nga Beogradi zyrtar ka pasur kritika, duke e cilësuar KFOR-in si të vetmen forcë legjitime ushtarake në Kosovë në zonat kufitare.
Ekspertët e sigurisë vlerësojnë se një njësi e tillë mund të plotësojë boshllëqe në kontrollin kufitar, por theksojnë nevojën për koordinim me KFOR-in dhe respektim të marrëveshjeve ekzistuese.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)