“SHBA nuk po tregohet e ndershme”, Qalibaf: Nuk do të ketë lëshimë ne negociata

Qalibaf theksoi se Irani nuk do të heqë dorë nga “të drejtat legjitime kombëtare”, duke paralajmëruar se forcat iraniane kanë rindërtuar kapacitetet ushtarake gjatë armëpushimit.

Burimi: CNBC

23.05.2026. 16:38

“SHBA nuk po tregohet e ndershme”, Qalibaf: Nuk do të ketë lëshimë ne negociata

Kryenegociatori iranian dhe njëherësh kryetar i Parlamentit, Mohammad Baqer Qalibaf, deklaroi se Shtetet e Bashkuara nuk po tregohen “palë e ndershme” në bisedimet për përfundimin e luftës me Iranin.

Deklarata u bë gjatë takimit në Teheran me shefin e ushtrisë pakistaneze, Asim Munir, në kuadër të përpjekjeve diplomatike për uljen e tensioneve në rajon.

Sipas mediave shtetërore iraniane, Pakistani po luan rolin e ndërmjetësit mes Teheranit dhe Uashingtonit, ndërsa synimi është arritja e një marrëveshjeje pas javëve të përplasjes që kanë tronditur rajonin dhe kanë ndikuar edhe në tregjet globale të energjisë, për shkak të situatës në Ngushticën e Hormuzit.

Gjatë takimeve në Teheran, Munir zhvilloi bisedime edhe me presidentin iranian Masoud Pezeshkian dhe ministrin e Jashtëm Abbas Araqchi. Raportohet se në qendër të diskutimeve ishte një dokument me 14 pika i propozuar nga Irani, i cili konsiderohet si baza kryesore për negociatat.

Qalibaf theksoi se Irani nuk do të heqë dorë nga “të drejtat legjitime kombëtare”, duke paralajmëruar se forcat iraniane kanë rindërtuar kapacitetet ushtarake gjatë armëpushimit. Ai shtoi se çdo rikthim i konfliktit nga SHBA do të përballej me një reagim “më të ashpër dhe më të dhimbshëm” nga Irani.

Nga ana tjetër, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se është shënuar njëfarë progresi drejt marrëveshjes, por pranoi se mbeten ende shumë çështje të pazgjidhura. Edhe Ministria e Jashtme iraniane ka bërë të ditur se dallimet mes palëve vazhdojnë të jenë të thella.

Pavarësisht konfliktit të javëve të fundit, Irani raportohet se ka ruajtur rezervat e uraniumit të pasuruar, si edhe kapacitetet raketore, dronët dhe rrjetet aleate në rajon, elemente që SHBA dhe Izraeli kërkojnë t’i kufizojnë përmes negociatave.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)