Franca ka ndaluar hyrjen në territorin e saj për ministrin izraelit të Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben Gvir, pas publikimit të një videoje që tregonte trajtimin e ashpër të aktivistëve të një flotiljeje humanitare për Gazën.
Lajmin e bëri të ditur ministri i Jashtëm francez, Jean-Noel Barrot, i cili deklaroi se masa u mor për shkak të “veprimeve të papranueshme ndaj qytetarëve francezë dhe europianë” që ndodheshin në flotilje. Ai shtoi se Franca dhe Italia po kërkojnë gjithashtu vendosjen e sanksioneve në nivel të Bashkimit Europian ndaj ministrit izraelit.
Reagimet ndërkombëtare erdhën pasi Ben Gvir publikoi në rrjetet sociale një video ku shfaqeshin aktivistët e ndaluar nga ushtria izraelite në ujërat ndërkombëtare. Në pamje, dhjetëra persona dukeshin të gjunjëzuar me duart e lidhura, ndërsa ministri izraelit ironizonte situatën duke valëvitur flamurin e Izraelit. Videoja mbante mbishkrimin “Mirë se vini në Izrael”.
Pas kritikave të shumta, autoritetet izraelite njoftuan deportimin e aktivistëve. Në flotilje ndodheshin 36 shtetas francezë, pjesë e një misioni humanitar që synonte të sfidonte bllokadën izraelite ndaj Gazës.
Franca deklaroi se nuk mbështet flotiljen dhe e konsideron aksionin të padobishëm, por theksoi se nuk mund të tolerojë kërcënimin apo keqtrajtimin e qytetarëve të saj.
Edhe Spanja ka kërkuar sanksione ndaj Ben Gvir, ndërsa Britania thirri diplomatin më të lartë izraelit në Londër për të kërkuar shpjegime mbi videon.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u distancua pjesërisht nga sjellja e ministrit, duke thënë se ajo “nuk përfaqëson vlerat e Izraelit”, por nuk e shkarkoi atë nga detyra.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)