Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar Kombëtaren e Kongos se duhet të respektojë një izolim strikt 21-ditor përpara hyrjes në territorin amerikan për Kupën e Botës 2026, për shkak të shpërthimit të virusit Ebola në vendin afrikan. Lajmi u bë publik nga Andrew Giuliani, drejtues i Task Forcës së Shtëpisë së Bardhë për Botërorin.
“Kemi qenë shumë të qartë me Kongon, që duhet të ruajë integritetin e izolimit për 21 ditë përpara se të udhëtojë drejt Houston më 11 qershor”, deklaroi Giuliani. Ai shtoi se autoritetet amerikane kanë paralajmëruar si federatën kongoleze, ashtu edhe qeverinë e vendit, se çdo shkelje e këtij protokolli mund të çojë në vendimin për të ndaluar hyrjen e ekipit në SHBA.
“Nuk mund të jemi më të qartë. Nëse nuk ruhet izolimi, rrezikojnë të mos lejohen të udhëtojnë drejt Shteteve të Bashkuara”, tha ai. Kombëtarja e Kongos ndodhet aktualisht në Belgjikë, ku po zhvillon grumbullimin dhe ndeshjet përgatitore para Botërorit. Sipas autoriteteve amerikane, ekipi duhet të qëndrojë në një “flluskë sigurie” të kontrolluar, pa kontakte të jashtme.
Giuliani theksoi se SHBA po e trajton me seriozitet maksimal aspektin shëndetësor për Kupën e Botës. “Duam të sigurohemi që asgjë që mund të përbëjë rrezik të mos afrohet pranë kufijve tanë”, u shpreh ai. Sipas raportimeve, shumica e futbollistëve të Kongos aktivizohen në Europë, kryesisht në Francë, ndërsa disa pjesëtarë të stafit teknik janë larguar së fundmi nga vetë Kongoja.
Ndërkohë, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka shpallur emergjencë ndërkombëtare shëndetësore pas shpërthimit të variantit Bundibugyo të Ebola-s në Kongo, që deri tani dyshohet se ka shkaktuar mbi 130 viktima dhe qindra raste të dyshuara. Botërori 2026 do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë, ndërsa Kongo është pjesë e Grupit K, ku do të përballet me Portugalinë, Kolumbinë dhe Uzbekistanin.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)