Pas largimit të trajnerit brazilian Sylvinho, Kombëtarja shqiptare e futbollit ka hyrë në një fazë të re, e cila është shoqëruar me ndryshime të thella në stafin teknik. Federata Shqiptare e Futbollit i ka besuar drejtimin e përfaqësueses teknikut italian Rolando Maran, i cili ka nisur menjëherë riorganizimin e ekipit teknik kuqezi.
Pas përfundimit të kontratës me Sylvinho, janë larguar gjithashtu edhe bashkëpunëtorët e tij më të afërt, Pablo Zabaleta dhe Doriva. Por, ndryshimet kanë prekur edhe sektorë të tjerë të rëndësishëm të Kombëtares.
Në stafin e ri nuk do të jetë më pjesë përgatitësi atletik italian Luca Laurenti, ndërsa përfundon edhe eksperienca e videoanalistit Alaricco Rossi, i cili prej vitesh kishte rol kyç në analizën taktike të ekipit. Ndryshime ka edhe në sektorin e portierëve, pasi Ilir Bozhiqi nuk do të vazhdojë më detyrën si trajner i portierëve të Kombëtares.
Ndërkohë, është konfirmuar se ndihmëstrajner i Rolando Maran do të jetë Christian Maraner, një bashkëpunëtor i afërt i teknikut italian në eksperiencat e tij të mëparshme. I vetmi emër që mbetet pjesë e stafit teknik nga struktura e mëparshme është Ervin Bulku, i cili do të vijojë punën me përfaqësuesen edhe në ciklin e ri.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)