Një verë e nxehtë pritet në Milan, ku drejtuesit e klubit duket se kanë vendosur të hapin një kapitull të ri, pavarësisht nëse skuadra siguron apo jo një vend në Champions League.
Sipas mediave italiane, pas ndeshjes vendimtare ndaj Cagliarit pritet të nisë një revolucion i madh në “Casa Milan”. Raportohet se administratori aktual Giorgio Furlani është drejt largimit, ndërsa pronarët kanë nisur kërkimet për një drejtues të ri ekzekutiv.
Në krye të kësaj lëvizjeje është Massimo Calvelli, krahu i djathtë i pronarit Gerry Cardinale dhe pjesë e bordit drejtues të klubit. Mes emrave të përfolur për postin e ri përmendet edhe Giovanni Carnevali i Sassuolo, por nuk përjashtohen as kandidatë të huaj.
Edhe pozitat e Zlatan Ibrahimović dhe Igli Tares mbeten të pasigurta. Sipas raportimeve, Tare mund të largohet pas vetëm një viti, ndërsa roli i Ibrahimoviçit pritet të reduktohet ndjeshëm.
Në pikëpyetje është edhe e ardhmja e trajnerit Massimiliano Allegri. Një kualifikim në Champions do t’i rinovonte automatikisht kontratën, por qëndrimi i tij nuk konsiderohet i sigurt. Allegri po shihet edhe si kandidat për drejtimin e Kombëtares italiane dhe pritet të kërkojë garanci të forta sportive për të vazhduar te Milani.
Deri në sfidën me Cagliarin fokusi mbetet te fusha, por pas saj pritet të nisë një periudhë ndryshimesh të mëdha në klubin kuqezi.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)