Zyrtare: Guardiola largohet nga Manchester City pas 10 vitesh historike

Gjatë qëndrimit të tij te Manchester City, Guardiola fitoi 20 trofe, duke u bërë trajneri më i suksesshëm në historinë e klubit. Në palmaresin e tij përfshihen gjashtë tituj të Premier League, një Champions League, tre FA Cup dhe pesë Kupa të Ligës.

22.05.2026. 13:37

Zyrtare: Guardiola largohet nga Manchester City pas 10 vitesh historike

Pep Guardiola do të largohet nga drejtimi i Manchester City në fund të sezonit, duke mbyllur një epokë të artë 10-vjeçare në “Etihad”. Lajmi është bërë zyrtar nga klubi anglez, ndërsa trajneri katalanas deklaroi se ka ardhur momenti për të mbyllur këtë kapitull të karrierës së tij.

“Nuk ka një arsye të vetme për largimin tim, por e ndjej se ka ardhur koha. Asgjë nuk është e përjetshme”, u shpreh Guardiola në mesazhin e tij emocional të lamtumirës. Edhe pse largohet nga pankina, ai nuk do të shkëputet plotësisht nga klubi. Guardiola do të mbajë rolin e ambasadorit global të City Football Group dhe do të kontribuojë në projekte strategjike dhe këshillime teknike për klubet e grupit.

Gjatë qëndrimit të tij te Manchester City, Guardiola fitoi 20 trofe, duke u bërë trajneri më i suksesshëm në historinë e klubit. Në palmaresin e tij përfshihen gjashtë tituj të Premier League, një Champions League, tre FA Cup dhe pesë Kupa të Ligës. Nën drejtimin e tij, City vendosi edhe rekorde historike në futbollin anglez, duke përfshirë sezonin rekord 2017-18 me 100 pikë në Premier League dhe 106 gola të shënuar.

Presidenti i klubit, Khaldoon Al Mubarak, e cilësoi periudhën e Guardiolës si një dekadë të paharrueshme për klubin. “Do t’i jemi përjetësisht mirënjohës Pep-it për sukseset dhe transformimin që i dha Manchester City-t”, deklaroi ai. Sipas mediave sportive, e ardhmja e Guardiolës mund të lidhet me drejtimin e një kombëtareje, ndërsa ndër emrat e përfolur për ta zëvendësuar në City është edhe Enzo Maresca.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)