FIFA rikthen në diskutim Kupën e Botës me 64 kombëtare

Ideja ishte hedhur fillimisht nga Konfederata e Amerikës Jugore, ku synimi është ti jepet sa më shumë vendeve mundësia që të marrin pjesë në turneun më të madh të futbollit.

21.05.2026. 16:13

FIFA rikthen në diskutim Kupën e Botës me 64 kombëtare

Edhe pse Kupa e Botës 2026 ende nuk ka nisur dhe do të zhvillohet për herë të parë në histori me 48 përfaqësuese, brenda FIFA-s po diskutohet seriozisht mundësia që Botërori i vitit 2030 të zgjerohet më tej, duke përfshirë 64 kombëtare. Ideja ishte hedhur fillimisht nga Konfederata e Amerikës Jugore, ku synimi është ti jepet sa më shumë vendeve mundësia që të marrin pjesë në turneun më të madh të futbollit.

Në atë kohë propozimi nuk u konsiderua prioritet, por tani ka rifituar mbështetje nga disa federata dhe po shqyrtohet nga drejtuesit e FIFA-s. Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka folur vazhdimisht për rëndësinë e zgjerimit të futbollit global dhe përfshirjes së vendeve që historikisht kanë qenë larg skenës botërore. Me formatin e ri të vitit 2026 do të debutojnë kombëtare si Uzbekistani, Jordania, Curaçao apo Kepi i Gjelbër, ndërsa ideja është që në të ardhmen pjesëmarrja të bëhet edhe më gjithëpërfshirëse.

Botërori 2030 do të organizohet në pjesën më të madhe nga Spanja, Portugalia dhe Maroku, ndërsa ndeshje simbolike do të zhvillohen edhe në Argjentinë, Uruguai dhe Paraguai. Aktualisht turneu është planifikuar për 48 skuadra, por FIFA pritet të marrë vendime më konkrete pas përfundimit të Kupës së Botës 2026. Ndërkohë, një tjetër ide e FIFA-s, organizimi i Kupës së Botës për Klube çdo dy vite, duket se nuk ka mbështetje të mjaftueshme dhe për momentin mbetet jashtë planeve të afërta.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)