Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar ish-kryetaren e komanduar të Bashkisë Tropojë, Zyra Islamaj, me 2 vite e 1 muaj burg për akuzën e korrupsionit pasiv.
Megjithatë, gjykata ka vendosur pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burg, duke e kaluar atë në shërbim prove për një periudhë 2-vjeçare. Sipas vendimit, Islamaj nuk duhet të kryejë asnjë vepër tjetër penale gjatë kësaj kohe.
Po ashtu, GJKKO ka vendosur që ajo të mos ushtrojë funksione publike për 5 vite.
Në të njëjtën çështje është dënuar edhe ndërtuesi Rrok Gega, i cili mori një dënim me 6 muaj burg. Edhe për të, gjykata ka vendosur pezullimin e dënimit dhe konvertimin e tij në 1 vit shërbim prove.
Sipas hetimeve të SPAK, çështja lidhet me një tender publik, ku Zyra Islamaj dyshohet se i kishte kërkuar ndërtuesit realizimin e një ure pranë banesës së motrës së saj, edhe pse kjo ndërhyrje nuk ishte e parashikuar në projektin fillestar.
Prokuroria pretendon se ish-zyrtarja ka ndërhyrë personalisht tek ndërtuesi dhe ka angazhuar edhe teknikun e mirëmbajtjes së rrugëve në bashki për realizimin e punimeve.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)