Ukraina shkatërron folenë e ‘spiunëve’ të Putinit në Kherson, 100 të vrarë nga sulmi me dronë

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky bëri me dije se rreth 100 trupa ruse kanë mbetur të vdekur ose janë plagosur nga ky sulm, ndërsa pamjet tregojnë selinë e spiunazhit të Putinit teksa hidhet në erë.

21.05.2026. 17:35

Ukraina shkatërron folenë e ‘spiunëve’ të Putinit në Kherson, 100 të vrarë nga sulmi me dronë

Rusia ka pësuar një humbje shkatërruese prej rreth 100 oficerësh të shërbimit të Inteligjencës, të cilët mbetën të vrarë ose të plagosur në një sulm me dronë ndaj një selie të FSB-së në Kherson.

Ishte njësia e forcave speciale ‘Alpha’ të  Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës që organizoi operacionin me dronë, i cili u finalizua me goditjen e zyrës së agjencisë ruse të inteligjencës dhe sigurisë së brendshme në Oblastin e pushtuar.

Vetë Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky bëri me dije se rreth 100 trupa ruse kanë mbetur të vdekur ose janë plagosur nga ky sulm, ndërsa pamjet tregojnë selinë e spiunazhit të Putinit teksa hidhet në erë.

Sulmi me dronë i SBU-së ukrainase shkaktoi shpërthime dramatike duke shkatërruar një ndërtesë shumëkatëshe dhe disa të tjera përreth. Sulmi shkatërroi gjithashtu një sistem mbrojtës ajror Pantsir-S1 me vlerë deri në 20 milionë dollar.

Zelensky përshëndeti rezultatet e operacionit duke u zotuar për më shumë sulme thellë në territorin e Rusisë, nëse Kremlini refuzon të flasë për paqen.

“Një seli e oficerëve të FSB-së ruse u godit dhe një sistem mbrojtës ajror Pantsir-S1 u shkatërrua në territorin tonë të pushtuar përkohësisht. Sulmet ukrainase me rreze të mesme dhe të gjatë veprimi do të vazhdojnë të funksionojnë. Vetëm falë këtij operacioni, humbjet ruse arrijnë në rreth 100 pushtues të vrarë dhe të plagosur. Rusët duhet të ndiejnë se duhet t'i japin fund kësaj lufte të nisur prej tyre”, tha ai.

Oblasti i Khersonit në jug të Ukrainës ka mbetur një fushë beteje kyçe që nga fillimi i pushtimit të plotë të Rusisë në vitin 2022. Forcat ruse pushtuan pjesën më të madhe të rajonit në muajt e parë të luftës, përfshirë kryeqytetin rajonal të Khersonit, përpara se trupat ukrainase të çlironin qytetin në nëntor 2022.

Pjesë të Oblastit në lindje të lumit Dnipro mbeten nën pushtimin rus dhe shpesh janë në shënjestër të sulmeve ukrainase në infrastrukturën dhe logjistikën ushtarake.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)