I dërguari special i presidentit të Donald Trump për Groenlandën ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara duhet të rikthejnë praninë e tyre ushtarake në ishullin strategjik të Arktikut, duke rritur edhe më shumë debatet gjeopolitike rreth territorit autonom danez.
Jeff Landry, i cili njëkohësisht është edhe guvernator republikan i Luizianës, tha për AFP se është koha që Uashingtoni të “rikthejë gjurmën e tij në Groenlandë”. Ai theksoi se administrata amerikane po shqyrton mundësinë e shtimit të operacioneve të sigurisë kombëtare dhe rihapjes së disa bazave ushtarake në ishull.
Gjatë Luftës së Ftohtë, SHBA kishte 17 instalime ushtarake në Groenlandë, ndërsa sot funksionon vetëm baza Pituffik në veri të ishullit. Sipas raportimeve të fundit, amerikanët synojnë të hapin edhe tri baza të reja në jug të territorit, shkruan Newsmax.
Trump ka përsëritur vazhdimisht se Groenlanda është jetike për sigurinë kombëtare amerikane, duke paralajmëruar se ishulli mund të bie nën ndikimin e Kinës ose Rusisë nëse SHBA nuk forcon kontrollin dhe praninë e saj në rajon.
Groenlanda konsiderohet strategjike për shkak të pozicionit të saj në rrugën më të shkurtër raketore midis Rusisë dhe Amerikës, por edhe për rezervat e mëdha të mineraleve të rralla që besohet se ndodhen nën akullin polar.
Vizita e Landry në kryeqytetin Nuuk ka shkaktuar polemika, pasi ai nuk ishte ftuar zyrtarisht nga autoritetet lokale. Kryeministri i Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen, deklaroi se bisedimet me përfaqësuesin amerikan ishin “konstruktive”, por theksoi se qëndrimi amerikan ndaj ishullit nuk ka ndryshuar.
Ndërkohë, Landry ka nxitur edhe debatet për pavarësinë e Groenlandës, duke deklaruar se SHBA mund ta ndihmojë ishullin të kalojë “nga varësia ekonomike drejt pavarësisë”. Megjithatë, autoritetet e Groenlandës dhe daneze kanë përsëritur se vetëm populli i tyre mund të vendosë për të ardhmen e tij.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)