Ka nisur në GJKKO seanca ndaj ish ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj. Përmes avokatit të tij ai kërkoi pushimin e çështjes si dhe interpretimin në Gjykatën Kushtetuese.
"Beqaj nuk mund të merret i pandehur për akuza që nuk janë formësuar në formën e kërkuar nga ligji. Kërkojmë kontroll incidental kushtetues. Kërkojmë pushim të menjëhershëm të çështjes, pezullim të gjykimit dhe dërgim në Kushtetuese", është shprehur avokati i tij.
Në seancë ish ministri sot ka qenë për procesin e sterilizimit, ku akuzohet për vjedhje duke shpërdoruar detyrën. Dhe për shkak të masës së butë në këtë çështje gjyqësore, ai nuk ka qenë në kafazin e xhamit por krah avokatit të tij. Beqaj është në hetim gjithashtu edhe për çështjen korruptive të SASPAC, kur ai ishte drejtor i saj.
Vetë Beqaj më pas është deklaruar i pafajshëm duke evidentuar dhe parregullsitë në procesin ndaj tij.
"Akuza ndaj meje nuk është bindje e prokurorit. Nga fillimi i procedimit deri 28 maj 2025, ky procedim ka kaluar nga parregullsia në parregullsi. Deklarohem i pafajshëm për akuzën”, u shpreh Beqaj.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)