Babai i Ervis Martinajt ka qenë sërish në gjyqin për pasuritë e sekuestruara të të birit, i cili prej vitesh tashmë rezulton i zhdukur. Ai ka folur për aktivitetin financiar të familjes së tij ku u shpreh se në kohën e trazirave ka ecur me 800 mijë dollarë në makinë, dhe çdo veprimtari të tij e ka të deklaruar.
Ai ka rrëfyer dhe jetën e djalit të tij, i cili ka studiuar për ekonomi në Itali.
“Visi fillimisht ishte student në Parma të Italisë, rreth viteve 2000–2001. Ai shkoi me bursë studimi dhe studioi ekonomi për dy vjet në Itali. Vajzat ishin në shkollë në Shqipëri. Kur ato filluan studimet, Visi u transferua që të rrinte me to dhe më pas u vendos në Tiranë. Më vonë ata u martuan. Banesa u mor, nëse nuk gaboj, në fund të vitit 2005. Visi ka qenë mbi mesataren në studime. Dëshironte të vazhdonte shkollën në Itali, por i la përgjysmë studimet dhe erdhi në Tiranë tek motrat. Deri sa ishte në shkollë, ka qenë shumë punëtor dhe i pëlqente pavarësia, në Itali nuk kishte bërë asnjë punë.
Më ka kërkuar ndihmë për të blerë një shtëpi të përbashkët. Kam blerë dy makina, një për dy vajzat dhe një për Visin. Për vajzat kam marrë kredi 12,500 euro, për një makinë të vogël markë japoneze. Nuk kam pasur asnjë shqetësim nga djali. Kisha çelësat, “dora e thatë nuk puthet”. Jemi familje tradicionale malësore. Ai vazhdoi shkollën për ekonomi edhe pasi erdhi në Shqipëri, por nuk i dha provimet, dhe nuk e përfundoi diplomën. Ka hapur një biznes me një shok; emrin nuk e kujtoj, por po ta kërkoj mund ta gjej. Ishte një djalë nga Tirana; riparonin lodra, lodrat që luanin fëmijët me kuaj. Unë, që më sheh këtu, invalid siç isha, kam qarkulluar i vetëm në Tiranë me mbi 800 mijë dollarë cash, karta dhe telefona, në orën 12 të natës, në periudhën më të vështirë të vitit ‘99, kur bandat ishin në rrugë. Kam pasur një makinë 2400 dhe i çoja paratë në bagazh në Rubik e Rrëshen; ishin paratë e aktivitetit tim. UFT ishte institucion privat, Unioni Financiar i Tiranës, aty merrja shumat. Asnjë gërvishtje nuk më ka ndodhur; kam luajtur me kokën time, ndërsa të tjerëve u ndodhin incidente.”, tha ai.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)