Një tërmet me magnitudë 5.6 ballë ka goditur mëngjesin e sotëm distriktin Battalgazi në Malatya të Turqisë.
Sipas Autoritetit Turk për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe Emergjencave, lëkundjet u regjistruan në orën 09:00 me orën lokale dhe kishin një thellësi prej rreth 7 kilometrash. Tërmeti u ndje edhe në qytete të tjera si Diyarbakir, Gaziantep, Adana dhe Kahramanmaras.
Pas lëkundjeve, shumë qytetarë dolën me shpejtësi nga banesat dhe institucionet, ndërsa nxënësit u evakuuan nga shkollat.
Guvernatori i Malatyas, Seddar Yavuz, njoftoi se mësimi është pezulluar për 24 orë për arsye sigurie.
“Për shkak të tërmetit 5.6 ballë në Battalgazi, është vendosur ndërprerja e procesit mësimor për një ditë në të gjithë provincën”, deklaroi ai.
Ministri i Brendshëm turk, Mustafa Çiftçi, tha se ekipet e emergjencës dhe AFAD kanë nisur menjëherë kontrollet në terren.
“Deri në këto momente nuk kemi raportime për dëme apo të lënduar, por ekipet po vijojnë verifikimet”, tha ai.
Edhe kryebashkiaku i Malatyas, Sami Er, reagoi pas tërmetit duke theksuar se lëkundjet janë ndjerë shumë fort. “Ishte një tronditje e madhe. E ndjemë jashtëzakonisht fort”, u shpreh ai.
Nga ana tjetër, Ministria e Transportit bëri të ditur se nuk janë konstatuar probleme në rrugë apo në infrastrukturën e komunikimit, ndërsa autoritetet vijojnë monitorimin e situatës.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)